Thursday, November 14, 2024
HomeLajmeTë çedukosh e të shthurësh institucionalisht   

Të çedukosh e të shthurësh institucionalisht   

Google search engine

Të çedukosh e të shthurësh institucionalisht

Google search engine

 

Google search engine

Se gjëma e ideologjisë së LGBTQI+ po përhapet përditë e ma shumë te ne me imponim propagandistik mediatik, gati se edhe ligjor, kjo më as që vihet në dyshim. Një detaj që ma kapi vëmendjen gjatë fjalimit në Kuvend të deputetit Eman Rrahmani rreth doracakut të edukatës seksuale[1] ishte ajo se disa deputetë ishin shprehur privatisht se këto agjenda nuk do ndikojnë te fëmijët e tyre sepse ata do i edukojnë kundër kësaj ideologjie jashtë shkollave! Po përse ta lejojnë ata në radhë të parë instalimin institucional të kësaj ideologjie? Përse heshtin e fshihen, kujt ia kanë frikën, mos atyne t’hujve nalt atje n’Dragodan, ambasadave, ojq-ve të huaja? Siç kanë vajtur punët gjer këtu, një gjë është goxha e parashikueshme, do bëhet çmos që pasi kjo ideologji e shtyrë para nga agjendat e prapaskenëshme ndërkombëtare të marrë forma ligjore të imponohet gradualisht edhe publikisht nëpër institucione shkollore. Dy skenarë bajagi të mundshëm: në rastin më të mirë vetëm trajnime e projekte të shpeshta ofruar mësimdhënësve e edukatorëve (zakonisht nga ojq vendase me financime nga të huajt) rreth përhapjes së kësaj ideologjie nëpër institucione shkollore. Në rastin më të keq, trajnime obligative të mësimdhënëseve rreth kësaj ideologjie që si kusht do të kenë pajisjen me licenca! Imponime të tilla institucionale, sidomos ndaj mësimdhënësve, bëhen me të vetmin qëllim: ta normalizojnë këtë ideologji të shthurjeve seksuale dhe ta bëjnë atë sa më të pranueshme, fillimisht duke ua injektuar këtë toksinë nxënësve të shkollave, në mbarë shoqërinë gjithnjë nën sloganet e identiteteve të llojllojshme gjinore (mbi 100 identitete gjinore) dhe flamujve shumëngjyrësh që na thuhet se paraqesin kulmin e të drejtave të njeriut, zhvillimit, progresit, çlirimit të shqiptarëve nga prapambetjet patriarkale, provinciale, fetare e tradicionale, dhe integrimit të vendit drejt Evropës, asaj Evrope që deri dje e quanin kurvë.

Eksponentë çjerrës të këtyre shthurjeve në vendin tonë donë t’ua mbushin mendjen popullit se Evropa e Perëndimi sikur njëzëri qenkan pajtuar njëherë e përgjithmonë rreth kësaj ideologjie bekimet e së cilës donë tash t’ua falin edhe të gjorëve si ne. Kjo s’është e vërtetë. Perëndimi s’flet njëzëshëm për të, edhe aty ziejnë debate dhe ka kundërshtime nga më të ashprat që përpiqen t’ua ndalin hovin këtyre shthurjeve dhe degradimeve njerëzore. Së fundmi Republika e Irlandës ka votuar kundër ndryshimeve kushtetuese të saja ku parashihej të ridefinohej roli i nënës dhe i familjes tradicionale si themel moral i shoqërisë, këto që i kanë halë në sy ideologjitë progresiste.

Përvojat e shteteve Perëndimore, veçanërisht ato të SHBA, kanë treguar qartazi se si ka filluar, si është zhvilluar, si është imponuar në mënyrë institucionale ideologjia e LGBTQI+ te masat e gjera si dhe dëmet e traumat e hatashme që kanë lënë pas, sidomos te moshat e njoma. Skripti i ecurisë së kësaj agjende është thuajse i njëjtë kudo në botë. Fillon me propagandë mediatike e fushata stigmatizimi – zakonisht me financime të majme e sponsorizime të magnatëve megalomanë të korporatave të mëdha – zhvillohet dalëngadalë duke metastazuar më pas në rrafshin ligjor dhe atë edukativo-arsimor, ku në shënjestër kryesore vihen nxënësit e shkollave, moshat më të ndjeshme. Pasi t’i kaplojë mirë e mirë organet e ndryshme shtetërore e ligjore, ideologjia e LGBTQI+ tenton pastaj me çdo kusht e në çdo mënyrë të mundshme të sheshojë gjininë e seksin, por vetëm pasi ta ketë përhapur martesat midis gjinive të njëjta e shthurjet tjera seksuale, duke mos kursyer madje as gjuhën, siç është rasti me përdorimin e përemrave vetorë dhe termave të tjerë (kujtoni së fundi futjen tinëzare të termave prindi 1 dhe prindi 2, në vend të nëna dhe babai, në një formularë të një administrate shkollore në Prishtinë!). Zërat kundër linçohen e u mbyllet goja, shpallen ekstremistë, radikalë, homofobë, ksenofobë, të prapambetur (te ne bile edhe talebanë me tesha kat!), pro-rusë, të mashtruar nga Trump, punonjësve të institucioneve të ndryshme u merren licencat e punës vetëm pse flasin publikisht kundër shthurjeve të tilla. Debatet kryesisht televizive mbi këtë temë zhvillohen vetëm duke u nisur nga ca ndjenja të përçudnuara që vijnë nga inxhinieringu social i shtyrë nga lart poshtë, por asnjëherë nën rigorozitetin e provave dhe shtjellimeve filozofike. Karshi këtij inxhinieringu social, në kuadër të cilit hynë edhe ideologjia e LGBTQI+, që viteve të fundit shkel si me tank çdo gjë që i del përpara, kanë kapitulluar thuajse të gjitha orientimet politike dhe segmentet e shoqërisë perëndimore.

Sigurisht se barra më e madhe në këtë arenë te ne bie mbi muslimanët ngase vetëm Islami[2] e ruan dhe e mbron natyrshmërinë njerëzore, familjen tradicionale, rolet e burrit dhe gruas brenda familjes dhe në edukimin e fëmijëve, prejardhjen familjare (njëra ndër pesë maksimat e njohura islame), e cila sot po kërcënohet nga surrogacia. Po, Islami mbron edhe termat e rëndomtë e të natyrshëm, nënë, baba, mashkull, femër, djalë, vajzë. Ruan dhe dëfton të vërtetat e vetëkuptueshme e të natyrshme, dhe përkrah këdo që përpiqet t’i mbajë ato e të kultivojë edukatë e moral nga to, qoftë musliman a jomusliman. Vetëm Islami sot e ka fuqinë dhe mekanizmat e duhur për ta luftuar këtë ideologji shkatërruese, qoftë në nivel global, qoftë në atë lokal.

Muslimanët në vendin tonë në cilëndo cilësi që janë e kanë për detyrë t’i shprehin qartë, zëshëm e publikisht qëndrimet e besimet e tyre kundër dukurive të tilla mu me gjuhë fetare, jo vetëm ligjore e laike. Të mos e kufizojnë veten duke thënë se vetëm hoxhallarët duhet të flasin për këso dukuri. Të bashkëpunojnë me këdo, të krishterë, të pafe, që ka vullnet të mirë në drejtim të mirëqenies së fëmijëve tanë. T’ua deshifrojnë me vakt e saktë skriptin bartësve të agjendave të huaja që rrinë prapa cilësdo parti në pushtet e të cilët shtiren në publik kinse e kanë për të mirën e nxënësve tanë. Si mund ta kenë për të mirën e fëmijëve tanë kur të tillët përkrahin qoftë në heshtje, qoftë publikisht gjakatarët e shtetit terrorist cionist që deri më sot ka vrarë para syve të botës mbi 11,000 fëmijë palestinezë?!

Muslimanët nuk duhet harruar se përkundër gjithë kësaj furtune e trysnie, përkundër të gjitha fondeve që derdhen për ta përhapur këtë dhe ideologjitë tjera, anise në dukje të pandalshme, Allahu i Plotfuqishëm nuk do të lejojë që kjo palë të arrijë suksesin e synuar. Ai ka thënë se kjo palë, pra, pala e shejtanit është e dobët, e dështuar:  “Ata janë pala e shejtanit. Në të vërtetë, pala e djallit janë humbësit.” [Kuran, 58:19]. Allahu do t’i ndihmojë gjithsesi besimtarët në kë drejtim përderisa ata i përvishen punës me sinqeritet: “Ata janë pala e Allahut dhe vërtet që pala e Allahut do të jetë fituese.” [Kuran, 58:22].

 

Visar Zeka

[1] Ky doracak nuk është hëpërhë obligativ në shkolla, jo tekst bazë shkollor. U refuzua me të drejtë nga DKA e Prishtinës, bash kur po i shkruaja këta rreshta, nën arsyetimin e mirëqenies së fëmijëve. Kështu duhet vepruar edhe DKA-të tjera të Kosovës. Kam lajme të pakonfirmuara se edhe DKA e Fushë Kosovës dhe ajo e Skenderajit e kanë refuzuar tashmë me vendim doracakun në fjalë.

[2] Jo se Krishterimi dhe Judaizmi apo traditat tjera i kanë përkrahur ideologjitë e tilla, mirëpo zëri i tyre në publik është i mekur, në këtë arenë ato në të shumtën e herave duken më shumë si spektatore sesa fe aktive, me përjashtim të individëve të caktuar.

RELATED ARTICLES
Google search engine
Google search engine

Most Popular

Google search engine
Google search engine

Recent Comments