Joram van Klaveren luajti një rol kyç në Partinë Holandeze të Lirisë së ekstremit të djathtë të Geert Wilders, por, pasi u konvertua në Islam, tani kundërshton në mënyrë aktive politikat e saj.
Klaveren dikur ishte dora e djathtë e Geert Wilders; ai shkroi letra të Partisë së Lirisë që e përshkruan Islamin si një “gënjeshtër” dhe mbrojti ndalimin e Kuranit dhe xhamive në Holandë, por sot ai po punon në mënyrë aktive për të hedhur poshtë të gjitha gënjeshtrat rreth Islamit që ai propagandoi më parë.
Duke komentuar rolin e tij të mëparshëm, ai tha në një intervistë për gazetën britanike The Guardian: “Mjetet që kam zhvilluar për ta janë ende atje… Ata ende po i përdorin ato. Fjalë për fjalë i dëgjoj ata të thonë gjëra që kam sajuar unë.”
“Kam punuar për të përhapur politikën anti-islame për 12 vjet, kështu që më duhet të punoj për ta hedhur poshtë atë histori për të paktën 12 vjet, në mënyrë që të them se e kam shlyer mëkatin tim”, tha Klaveren.
Burri, i cili u rrit në një familje protestante thellësisht fetare në Amsterdam, tha se urrejtja e tij ndaj Islamit ishte ndikuar nga kisha të cilës i përkiste. Ky pozicion u forcua pas sulmeve të 11 shtatorit dhe vrasjes së regjisorit Theo van Gogh nga një xhihadist i vetëshpallur, duke bërë që Klaveren t’i bashkohej partisë së Wildersit në 2010.
Ai shpejt u ngrit në grada pasi bëri gjithçka që mundi për të ndaluar xhamitë, Kuranin, mbylljen e shkollave islame dhe ndalimin e gjuhës arabe në vende publike, gjë që ai thotë se ishte gjëja e duhur për t’u bërë.
Klaveren u nda me Wilders në 2014 pasi ky i fundit filloi të mbrojë racizmin kundër holandezëve me origjinë marokene në një fjalim, kështu që ai themeloi partinë e tij, por nuk arriti të fitonte asnjë vend në zgjedhjet kombëtare, kështu që vendosi të largohej nga politika dhe në vend të kësaj t’i kushtohej të shkruarit të një libri në të cilin do të ekspozonte kërcënimin e paraqitur nga Islami.
Studimi i Islamit
Por ai mision e shtyu atë të studionte më thellë Islamin dhe ai u magjeps gjithnjë e më shumë nga kjo fe.
Kështu ai mblodhi disa vëllime dhe i vendosi në një raft, gjë që bëri të shembej rafti, ku prej tij ranë librat, mes tyre edhe Kurani. Më pas mori Kuranin dhe vuri re se po mbante gishtin mbi përkthimin e mendimit kuranor: “Nuk verbohen sytë, por zemra është në kraharor”. (El-Haxh 46).
Mendova, thotë ai, me vete: “Epo, po, ky është problemi im”.
The Guardian raporton se Klaveren njoftoi konvertimin e tij në Islam në vitin 2019, pasi një imam vendas e inkurajoi atë dhe i shpjegoi se kjo ishte një mundësi për të që të korrigjonte keqbërjen e tij të mëparshme, duke i thënë: “Ti ke një përgjegjësi, sepse ti në të kaluarën ke nxitur urrejtje”.
Sa i përket reagimit të publikut holandez ndaj lajmit, Klaveren thotë se ata që e votuan janë ndjerë të zhgënjyer, duke u ndjerë të tradhtuar.
Ai shtoi se kishte marrë dy mijë kërcënime, duke përfshirë kërcënimet për të vrarë fëmijët e tij. “Ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Njerëzit më thoshin se do të më përdhunonin gruan dhe do të vrisnin fëmijët e mi dhe më dërguan edhe adresën e shkollës që fëmijët ndjekin për të më frikësuar”, thotë Klaveren.
Tensionet më vonë u lehtësuan, duke i dhënë hapësirë Klaveren për të reflektuar mbi të gjitha gabimet e tij të mëparshme.
Përvoja islame
Në vitin 2020, ai u bashkua me disa me synimin për të krijuar një fondacion musliman në Holandë që do t’i prezantojë njerëzit me Islamin dhe historinë e tij.
Pasi vizitoi më shumë se 200 shkolla, fondacioni hapi një muze në Roterdam të quajtur Qendra e Përvojës Islame në qershor 2023.
“Qëllimi i tij kryesor është të shpërndajë keqkuptimet dhe të promovojë ndjeshmërinë,” thotë ai. “Kur kam qenë në Partinë e Lirisë, gjithmonë kemi thënë se Islami është i huaj këtu dhe nuk ka lidhje me Evropën. Por nëse i kthehemi shembullit të Spanjës (Andaluzisë), do të shohim se një pretendim i tillë është absurditet i thjeshtë”.
I pyetur nëse ndjente faj apo pendim për veprimet e tij gjatë kohës në Partinë e Lirisë, Klaveren tha: “Sigurisht që më vjen turp për gjithçka që thashë. Unë kisha plane, por Zoti kishte planin e Tij për mua, kështu që Ai e ktheu jetën time në një drejtim tjetër.”
Ndërsa vendet në të gjithë Evropën përpiqen të kundërshtojnë ngritjen e së djathtës ekstreme, Klaveren po bën thirrje për përgjigje “të menduara”, duke përmendur si shembull incidentin në qytetin holandez të Arnhemit, ku udhëheqësi i lëvizjes anti-muslimane Pegida organizoi një akt djegieje Kurani.
Organizatat islame iu përgjigjën atij akti duke shpërndarë kopje falas të Kuranit për të gjitha palët e interesuara. Ai tha: “Sa herë që djegin një Kuran, ne shpërndajmë një mijë”. Duke qeshur, ai shtoi: “Prandaj, nuk jam i sigurt se lëvizja do ta djegë më Kuranin”. /tesheshi.com