Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i tha Ekonomia Online se tribuna në stadiumin e fshatit Dobrajë nuk është ndërtuar në drejtim të kundërt me fushën por që kjo është bërë me tendencë.
Në disa video të shpërndara në rrjetet sociale ku thuhej se tribuna kryesore është vendosur mbrapsht, kjo nuk qëndron.
Kreu i Komunës ka thënë se tribuna është vendosur për stadiumin kryesor dhe jo për atë ndihmëse dhe se interpretimet janë bërë të qëllimshme.
Ahmeti ka thënë se mosmirëmbajtja e fushës e ka sjellë në gjendjen aktuale. Shkak sipas tij janë bërë ndërrimi i kryesisë së klubit.
“Stadiumi është dorëzuar në një gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe është funksionalizuar në atë kohë sistemi i ujitjes së fushës së futbollit, i kemi dorzu edhe një kosë për të kositë barin, për ta mirëmbajte dhe ndërkohë atje ka pas ndërrime të kryesive të klubeve, ne e kemi bë edhe një fushë ndihmëse, si duket ata e kanë përdorë fushën ndihmëse dhe fare s’e kanë mirëmbajttë këtë fushën kryesore të futbollit dhe tani e kemi një gjendje jo të mirë atje. Duket që kanë pas vështirësi financiar si klub, nuk kanë donacione të mëdhaja, nuk kanë të hyra të mëdhaja dhe natyrisht që kërkohet angazhim i stafit shtesë për të mirëmbajttë një stadium, mos mirëmbajta e fushës e ka sjellë këtë situatë që e kemi”, ka thënë Ahmeti, teksa shtoi se tribuna nuk është vendosur gabimisht siç është potencuar në disa media.
“Nuk është e vërtetë që janë vendos gabim, ato janë vendosë për fushën kryesore, nuk janë vendos për fushën ndihmëse dhe janë të kthyera nga fusha kryesore, tani kush interpreton ndryshe, me qëllime të caktuara politike është temë tjetër, por në stadium janë ulëset e vendosura për fushën kryesore, ju mund të shkoni ta verifikoni këtë dhe të merrni pamje kur është lëshuar fusha në përdorim, është çështje tjetër që ata nuk kanë mundur ta menaxhojnë fushën më tutje dhe tash është në një situatë të tille”, u shpreh ai.
I pari i Lipjanit ka deklaruar se mirëmbajtja e stadiumit është në kompetencë të klubeve dhe se këtë nuk mund ta bëjë komuna. Ai ka thënë se dorëzimi i stadiumit është bërë në mënyrë të rregullt dhe se stadiumi ka qenë në gjendje perfektë.
“Jo vetëm Lipjani por asnjë komunë nuk mund të merr përsipër menaxhimin e fushave të futbollit. Ne investojmë e ndërtojmë dhe e japim në menaxhim të klubit për të cilin është ndërtuar ajo fushë, siç e kemi dhënë stadiumin e Ulpianës në Lipjan në menaxhim të klubit e kemi dhënë fushën për klubin ‘Arbëria’, natyrisht që klubet do të duhej me pas mundësinë me i mirëmbajttë ato fusha, komuna nuk mund me dërguar punëtor atje çdo të dytën ditë, as me ujit as me kositë e as me i ndejtë gati, se nuk kemi kapacitete ose fuqi punëtore që munden me bë këtë, do të thotë defekti ka ndodhë thjeshtë pamundësia e klubit për ta mirëmbajttë, ajo që duhet me thënë para publikut unë, le të verifikohet, le të shihen pamjet në çfarë gjendje ne e kemi dorëzua dhe çfarë gjendje është sot dhe kush është fajtor komuna nuk mund të marrë përsipër që me i dërgua punëtorët prej komunës me ia kositë atë bari atje ose me lëshuar ujitjen. Sistemi i ujitjes është me telefon me lëshuar, aq i lehtë, aq modern ka qenë, tani çfarë gjendje është atje është temë tjetër”, ka deklaruar Ahmeti për EO.