Sulmet e migrenës mund të jenë shumë të pakëndshme dhe dhimbja mund të zgjasë me orë të tëra. Por, ajo që dihet më pak është se migrena dhe llojet e tjera të kokëdhimbjeve mund të nxiten nga disa ushqime. Sigurisht, këto ushqime nuk do të shkaktojnë probleme për çdo person.
Ka shumë shkaktarë që mund të nxitin dhimbjen e kokës dhe këtu mund të përfshihen ndryshimet mjedisore, duhani, çekuilibri hormonal, stresi, drita ose ndryshime në shprehitë e gjumit.
Sipas Every Day Health, nëse keni dhimbje koke pas ngrënies, ato mund të nxiten të paktën pjesërisht nga disa ushqime ose pije.
Çokollata
Shumë njerëz shpesh kanë dhimbje koke menjëherë pasi hanë çokollatë, duke çuar në besimin se çokollata nxit kokëdhimbjen. Megjithatë, mund të mos jetë kështu.
Gjegjësisht, shumë njerëz që vuajnë nga migrena kanë një oreks të shtuar dhe dëshirë për ushqim pikërisht përpara se të fillojë dhimbja e kokës. E thënë më mirë, ngrënia e një çokollate mund të jetë rezultat i një migrene të afërt, jo shkaku.
Vera dhe pijet tjera alkoolike
Sulfitet, të përdorura si konservues në verën e bardhë dhe të kuqe, konsiderohen si një nxitës i mundshëm i migrenës. Kjo do të thotë se vera mund të jetë një shkas i fuqishëm për disa njerëz. Alkooli në çdo pije shkakton rritje të rrjedhjes së gjakut në tru dhe mund të rezultojë në dehidrim, i cili mund të jetë një shkas për dhimbje koke.
Kafeja
Pak kafeinë mund të ndihmojë në largimin e dhimbjeve të kokës, por shumë kafeinë mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve të kokës. Hulumtimet tregojnë se ata që vuajnë nga migrena duhet ta kufizojnë marrjen ditore të kafeinës në 200 miligramë dhe të konsumojnë të njëjtën sasi kafeine në të njëjtën kohë çdo ditë për të kufizuar rrezikun e dhimbjeve të kokës.
Produktet e mishit
Edhe pse nuk ka shumë studime që tregojnë se mishi i përpunuar mund të shkaktojë dhimbje koke, dyshohet se nitratet e përdorura si konservues mund t’i zgjerojnë enët e gjakut duke shkaktuar dhimbje koke te disa njerëz.
Ushqimet që përmbajnë MSG
Glutamati i monosodiumit (MSG), i cili gjendet në salcën e sojës dhe përdoret si shtesë në produkte të tjera, është një nxitës i shpeshtë i dhimbjes së kokës që mund të shkaktojë gjithashtu edhe probleme të tretjes.
Ky përbërës gjendet natyrshëm në përbërës të tillë, si proteina vegjetale e hidrolizuar, maja e autolizuar, maja e hidrolizuar, ekstrakti i majave, ekstraktet e sojës dhe izolimi i proteinave, si dhe në domate dhe djathëra.
Produktet e ftohta
Disa njerëz mund të ndjejnë dhimbje koke pasi kanë ngrënë akullore. Por, shkaku i vërtetë është në fakt një reagim ndaj të ftohtit. Mjekët deklarojnë se dhimbja zhduket më shpejt, por në çdo rast pijet e ftohta dhe produktet e ngrira këshillohet t’i hani më ngadalë.