Intervistë me poeten: Fatijona Bajraj
Intervistoi për “Ditori”: Muharren Vojvoda
Muharrem Vojvoda:
Kur ke filluar të shkruash poezi? Dhe kur ke filluar të botosh?
Fatijona Bajraj:
Qysh në shkollën fillore kam tentuar të shkruaj, mirëpo jo çdoherë njeriu gëzon në vete atë vetëbesimin për të shkruar. Shkrimin e kam dashtë gjithmonë, kam mbajt dhe vazhdoj të mbaj ditar, sot e kësaj dite. Me kohën përvojat nëpër të cilat kam kaluar gjatë jetës, ndjenjat nëpër të cilat ka kaluar zemra ime janë derdhur tashmë të gjitha në vargje. Padyshim për të pa dritën e botimit poezitë e mia nuk ka mjaftuar vetëm fakti që unë i kam shkruar, por është edhe mbështetja e rrethit që kanë besuar në potencialin tim dhe e kanë parë të arsyeshme që poezitë e mia mos të mbesin veç më dollapin tim, por poezitë e mia të jenë pjesë e biblioteka të lexuesve.
Botimin e parë autorial e kam filluar në vitin 2021, pra kam botuar divanin e parë “Divani Evvel”. Stili i poezisë sime mbase është pak më i veçantë nga ajo se çka ne sot jemi mësuar të lexojmë në rrjete sociale. Unë s’jam vetëm orientaliste, por edhe me shpirt e përqafoj letërsinë e vjetër, letërsi kjo që fokusin kryesor e ka Hyjninë dhe dashurinë për Hyjninë.
Muharrem Vojvoda:
Ku e gjen inspirimin Jonna? Çka të inspiron të shkruash?
Fatijona Bajraj:
Inspirimi im kryesor është dashuria për Hyjninë dhe gjendjet e mia emocionale apo sprovat nëpër të cilat kaloj gjatë rrugëtimit të quajtur jetë. Çdo gjë që mua më prek thellë më bën përveç syrit të lotoj, bën edhe lapsin të shkruaj. Koncepti i dashurisë në frymën që unë shkruaj është pak ma i thellë prej këtij që ne jemi mësuar të shohim dhe dëgjojmë sot. Për atë, për mua inspirim është gjithçka që frymon dhe ekziston në sipërfaqe të tokës e që të përkujton Zotin.
Muharrem Vojvoda:
Përveç poezisë a shkruan edhe prozë?
Fatijona Bajraj:
Ta them të drejtën, prozë shkruaj më pak. Kam një roman të cilin e kam filluar para dy vitesh diku mirëpo jam duke shkuar pak më ngadalë edhe për shkaqe jetësore që më kanë bërë të stagnoj, po edhe pak në aspektin e ndërlidhjes së disa gjërave brenda tij sepse lidhet mu me mistikën e vjetër dhe një rrymë të caktuar fetare. Kjo është diçka më e thellë që do shtjellim të veçantë për atë nuk po ngutem. Avash-avash do t’i vijë dita e botimit edhe atij.
Muharrem Vojvoda:
Kur ke filluar të mëresh me përkthime? Çka përkthen më shumë prozë apo poezi?
Fatijona Bajraj:
Me përkthime merrem qysh prej kohës së studimeve. Duke qenë studente e vitit të fundit kam botuar edhe librin e parë “101 urtësi”. Kam filluar të përkthej me iniciativën e prof. Jahja Hondozi sepse ka qenë ndër ata që më së shumti ka besuar në turqishten time. Më pas kam filluar të botoj përkthime në revistën ‘Akademia’ dhe sot e asaj dite nuk e kam ndalur përkthimin përveç mbi tridhjetp veprave që kam përkthyer, vazhdoj të botohem edhe në revista të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Përsa i përket përkthimit, përkthej edhe prozë edhe poezi. Poezia zakonisht është ajo që më vështirë përkthehet e ndonjëherë nuk përkthehet hiç sidomos nëse nuk ke pak shpirt poetik. Kjo është e vështirë t’i japësh kuptim dhe ta ruash estetikën e saj në gjuhë të dytë.
Muharrem Vojvoda:
Jeni edhe kryeredaktore në revistën ‘Uji’ mund të na flisni pak rreth saj?
Fatijona Bajraj:
Po, jam në krye të revistës “Uji”. Ajo që më ka bërë ta nisi këtë iniciativë është pak fakti që çdo krijues thuajse ka filluar karrierën në revista. Në të njëjtën mënyrë edhe unë. Por edhe e dinë që revistat kanë vend të veçantë në letërsi dhe në rrugën e shkencës në përgjithësi. Edhe pse të mos jemi ne ata që do të lëmë diçka pas vetes. Ne sot jemi bërë derë e shumë krijuesve të ri, të cilët botojnë në revistën tonë. Madje, “Uji” ka filluar edhe si referencë për punime dhe studime të ndryshme shkencore. Mundem të them se vetëm se kemi arritur ata që kemi ëndërruar dikur.
Revista “Uji” është revistë kryesisht për letërsi, histori dhe kulturë. Botohet në mes të çdo stine. Tash jemi duke u përgatitur për numrin e nëntë që do ta dalë në vjeshtë.
Muharrem Vojvoda:
Planet që planifikoni t’i realizoni në një të ardhme të afërt
Fatijona Bajraj:
Përveç revistës dhe divanit të radhës, pra tash vjen i pesti me radhë, pasi katër vetëm sa janë botuar. Tash jam në proces të përkthimit të një libri të një shqiptari nga Drenica, por i lindur dhe i rritur në Turqi. Ai përshkruan migrimin e familjes së tij drejt Turqisë. Për revistën vetëm se tregova që do të vijë numri i radhës si dhe disa botime të reja, por që nuk po i zbuloj sot t’ua lë pikë pak ashtu lexuesve tanë.