Më 22 gusht, Komuna e Mitrovicës së Veriut përmes një vendimi kanë kërkuar “lirimin” e një objekti komunal që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve e që shfrytëzohet nga institucionet e Serbisë. Komuna e Mitrovicës së Veriut iu ka dhënë afat tre ditë që të largohen nga ndërtesa. Këtë vendime kanë arsyetuar me “disa punime të parashikuara që komuna do t’i kryejë në objekte të caktuara komunale”.
Besnik Velija
Lidhur me këtë vendim të Komunës së Mitrovicës së Veriut në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë se janë në dijeni për një vendim të tillë të qeverisjes lokale të Mitrovicës së Veriut përmes të cilit ka kërkuar që punonjësit e disa zyrave të qeverisë serbe të largohen nga ndërtesa ku kanë funksionuar brenda një afati tre ditor.
Nga Ambasada e SHBA-së kanë ripërsëritur rrethanat nga të cilat kanë dalë kryetarët e rinj të katër komunave në veri dhe kanë theksuar se një numër zyrtarësh amerikanë kanë shprehur pritjet se këta kryetarë të zgjedhur, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, do të bëjnë përpjekje të veçanta për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjithë banorëve dhe pjesëtarëve të komunitetit.
“Përderisa ne e pranojmë se zgjedhjet komunale të prillit 2023 në katër komuna në veri të Kosovës ishin të kërkuara me ligjin e Kosovës dhe ne i kemi njohur rezultatet si legjitime, duke pasur parasysh pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët të votuesve në ato zgjedhje, një numër zyrtarësh amerikanë kanë shprehur pritjet tona se këta kryetarë të zgjedhur, duke përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, do të bëjnë përpjekje të veçanta për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjithë banorëve dhe pjesëtarëve të komunitetit”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Gazetën Express.
Nga Ambasada Amerikane në Prishtinë për Express potencojnë se në vazhdimësi kanë këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave veriore që të përmbahen nga vendimet që rritin tensionet ose mund të perceptohen si përshkallëzuese.
Ambasada e SHBA-së thotë se veprime të tilla të “pakoordinuara me komunitetin ndërkombëtar” janë të papajtueshme edhe me kërkesat amerikane për të shmangur veprimet që mund të rrisin tensionet ose që mund të perceptohen si përshkallëzuese.
“Ne vazhdimisht kemi këshilluar qeverinë e Kosovës, duke përfshirë edhe kryetarët e komunave veriore, që të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që rrit tensionet ose mund të perceptohet si përshkallëzues.
Ne i konsiderojmë këto veprime, të cilat nuk kanë qenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar, si të papajtueshme me kërkesat tona për të shmangur veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet ose të perceptohen si përshkallëzuese”, ka përfunduar ky zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Gazetën Express.