Përmes një kumtese dërguar mediave, kjo Ministri ka thënë se përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme, përmes AME-së dhe në koordinim me Ndërmarrjet Publike të sigurojë ujë të pijes, si dhe të plotësojë nevojat të tjera të mundshme të qytetarëve nga zonat e vërshuara.
“Institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Komunën e Skënderajt, në 4 lokacione në Mitrovicë, si dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave. Në Komunën e Klinës, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht nga kërkesat do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune”, thuhet në këtë njoftim, raporton Klankosova.tv.
MPB-ja thotë se mbetet në dispozicion të plotë për veprim në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim.
Në fund, ka bërë apel për kujdes të shtuar dhe në rast nevoje komunikim me institucionet relevante përmes numrave emergjent: 112, 192, 193 dhe 194. /Klankosova.tv