Policia e Kosovës ka shkatërruar armët ilegale që janë konfiskuar, e që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Policës së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia në kuadër të fushëveprimtarisë së saj në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në përgjithësi, zbaton edhe strategji shtetërore dhe rajonale që kanë të bëjnë me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve.
Sipas tij, në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1 500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë.
“Me vendim të gjykatës, është lejuar shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale dhe për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore”.
Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar pati deklaruar se janë 250 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve.
Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri (KSSP) si dhe SEESAC.