Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të marrë pjesë në Panairin e Librit të Leipzig-ut, përmes një programi të pasur të ngjarjeve letrare dhe rreth 100 titujve, përfshirë vepra letrare dhe joletrare në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
Panairi i librit në Leipzig të Gjermanisë, nis sot dhe zgjat deri më 22 mars 2026.
Kosova këtë vit prezantohet me gjashtë autorë të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, në dy panele, i pari që mbahet sot flet për letërsinë dhe politikën në rajon, me autoret Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi. Ndërsa, në panelin e dytë, nesër, diskutohet për letërsinë e një populli të vogël në kontekstin e literaturës botërore me Arbër Selmani, Eli Krasniqi dhe Meliza Krasniqi.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, do të jetë pjesë e programit te Traduki, ku së bashku me autorë të rajonit do të flas për Artin si Rezistencë ndaj harresës dhe sfidat e një biblioteke kombëtare nën tronditjet e kryqëzimeve politike.
Që nga viti 2019, Biblioteka Kombëtare promovon vazhdimisht autorët nga Kosova dhe letërsinë shqipe në panairin më të madh dedikuar autorëve në Evropë./Klankosova.tv









