Ndonëse pas afatit të paraparë ligjor, Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar seancën fillestare për gjykimin ndaj infermiereve, të cilat dyshohen për sulm fizik ndaj një të moshuare në strehimoren “Orenda” në Pejë.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, për Telegrafin ka treguar se seanca është caktuar me datë 31 Tetor në orën 10:00.
Prokuroria Themelore në Pejë katër muaj më parë ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave me inicialet A.P., A.R., dhe R.K., të dyshuara për këtë rast.
Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.
“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, përfundon njoftimi.