Kolonele, Afërdita Mikullovci , e cila është lindur dhe është rritur në pjesën veriore të Mitrovicës, deri pas luftës së fundit në Kosovë.
Sot është e para dhe e vetmja grua në Kosovë që udhëheqë një drejtori rajonale të policisë.
Këtë pozitë ajo e mori në vitin 2018, plotë 19 vite pasi kishte veshur uniformën e kaltër, për të qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, e për të kontribuar në sigurinë e tyre.
Për herë të parë në terren doli më 1 nëntor 1999, ndërkaq që nga atëherë kolonele Mikollovci e cila është drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut iu përkushtua profesionit.
“Në momentin që kam dalë, më 1 nëntor 1999, e kam veshur uniformën dhe kam dal në terren, në asnjë moment nuk më ka shkuar mendja të dorëzohem apo tërhiqem. E kam ndjerë shumë, e kam përjetuar edhe uniformën edhe reagimet e qytetarëve”, shprehet Mikollovci.
Kolonelja 46-vjeçare ka nën komandën e saj mbi 580 policë, shumica prej të cilëve burra, dhe një pjesë gra.
Drejtoria të cilën ajo e udhëheqë mbulon komunat: Mitrovicë e Jugut, Vushtrri e Skenderaj.
“Jam kyçur në polici shumë spontanisht, nuk u takoj atyre gjeneratave, “gjithmonë kam ëndërruar të jem police”. Unë nuk është se kam qenë ndodhta ithtare e uniformës në të kaluarën”, shprehet Mikullovci.
Ajo thotë se është nxitur që të hyjë në polici nga një shoqe e saj dhe mbështetur fuqishëm nga familja, e sidomos babai.
Kolonelja Mikullovci nisi punën në kohën kur Policia e Kosovës nuk kishte ende bazë me të dhëna, e më vonë u bë instruktore e e Divizionit të menaxhimit dhe lidershipit, e udhëheqëse e divizionit të trajtimit bazik.
“Një prej përvojave më të dhimbshme që e kam përjetuar ka qenë kur është vrarë kolegu, Enver Zymberi(2011). Atë ditë ka ndodhur çfarë ka ndodhur…të nesërmen i kam nisur njësitë për vend-shikim”, kujton ajo plot emocion.