Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar që të luftohen më shumë padrejtësitë ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, në edicionin e pestë të Festivalit multikulturor “Le të festojmë ngjashmëritë tona, raporton Ekonomia Online.
Në këtë festival, i cili u organizua “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianeve”, Konjufca tha se para se të festojmë, duhet të reflektojmë sepse megjithëse të gjithë jemi të barabartë para ligjit, anëtarët e komuniteteve kanë mirëqenie më të ulët.
“Secili i gëzojmë të drejtat tona kushtetuese, me qenë të barabartë para ligjit, e drejta për arsim, shëndetësi. Kur kemi të bëjmë me të drejtën për punë, për arsimim, atëherë anëtaret e komuniteteve kanë mirëqenie më të ulët. Duhet të festojmë por para se të gjithave duhet të reflektojmë, këtë formë të diskriminimit ta luftojmë së bashku. Duhet të bëhemi bashkë më këto komunitete që këto padrejtësi t’i kalojmë”, tha Konjufca.
Konjufca tha se kjo është punë e gjatë por këto probleme nuk janë vetëm në Kosovë,
“Këto janë probleme universale të Romëve sidomos, më cdo vend të botës kudo që ata eksitojnë. Më vjen mirë që çdo vit po shoh më shumë njerëz, më bënë më optimist që jemi duke vazhduar drejtë”, u shpreh Konjufca.
Drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, tha se “Festivali është një thirrje për bashkëpunim mes njëri-tjetrit”.
Qëllimi i këtij festivali sipas Skenderit, është që të ngritët vetëdija për diskriminimin që iu bëhet komuniteteve në Kosovë.
“Komunitetet diskriminohen dhe paragjykohen për çka janë dhe prej ku vijnë”, u shpreh Skenderi.
Paralelisht aktivitete do të ketë edhe në komunat tjera, më 7 shtator në Plemetinë, Obiliq, 8 shtator në Kamenicë dhe 9 shtator në Graçanicë.