INTERVISTË ME SHKRIMTARIN ALBIN MEHMETI
Intervistoi për “Ditori” Muharrem Vojvoda.
Muharrem Vojvoda:
Si dhe kur u futët në botën e letërsisë? Çfarë ju motivonte të shkruanit?
Albin Mehemti:
Me letërsinë u takova qysh herët, por që asnjëherë nuk do të mendoja se do të notoja në detin e paanë të letërsisë dhe këtë do ta bëja profesion. Sa isha fillorist lexoja shumë, kurse shkruaja pak, apo më mirë të themi shkruaja vetëm kur obligoheshim të shkruanim ese e hartime në lëndën e gjuhës shqipe, shkrime të cilat vlerësoheshin lart nga mësimdhënësit. Letërsinë më seriozisht fillova ta marr kur isha gjimnazist, por asnjëherë s’e mendova se do ta studioja. Në fillim shkruaja poezi, të cilat për kohën që i shkruaja i pandehja kryevepra, ashtu siç i quan çdo shkrimtar. Temat që trajtoja në atë kohë ishin kryesisht tema atdhetare, mbase edhe i ndikuar nga vendi nga vija, por edhe tema që më preokuponin si adoleshent që isha.
Muharrem Vojvoda:
Cili është shkrimtari apo libri që ka ndikuar më së shumti në krijimtarinë tuaj?
Albin Mehemti:
Mbase kjo është pyetja më e shpeshtë që i bëhet një shkrimtari dhe kjo është pyetje mjaft legjitime, pasi në epokën që jetojmë nuk ka shkrimtar që fillon krijimtarinë e vet pa lexuar diçka, pra rrjedhimisht nuk ka shkallë zero të krijimit. Ashtu si edhe të tjerët edhe unë kam ndikimet e mia. Sa i përket poezisë jam i ndikuar edhe sot e kësaj dite nga poeti kombëtar, Gjergj Fishta, por që asnjëherë nuk pretendoj ta arrij lartësinë e tij krijuese e estetike. Nga Fishta më shumë ndikohem dhe e marr model dialektin gegë, kurse kah aspekti tematik dhe ideor jam i ndikuar më shumë nga poetët e viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta të Kosovës, që letërsisë shqipe ia dhanë shkëlqimin. Kurse sa i përket prozës, nuk kisha përmendur një autor të caktuar, por kisha përmendur formacionin e autorëve postmodernë, prej të cilëve më shumë jam i ndikuar në aspektin e strukturës dhe më pak në aspektin e temave të trajtuara.
Muharrem Vojvoda:
Si e përshkruani stilin tuaj të shkrimit?
Albin Mehemti:
Siç e thashë edhe më lart jam i ndikuar nga autorët postmodernë. Në dy librat me tregime, të cilat i kam botuar deri më tani mbizotëron stili postmodernist, më shumë aspekti i metafiksionit dhe lojës me narratorë. Tregimet e mia kanë toposin imagjinar, qytetin e Dashamirit, kurse si topikë kanë krimin dhe luftën primordiale të njeriut me të keqen.
Muharrem Vojvoda:
A mendoni se letërsia shqipe ka pasur dhe ka ndikim në identitetin kombëtar?
Albin Mehemti:
Letërsia shqipe dhe identiteti kombëtar shqiptar kanë një ndërlidhje të pashkëputshme. Vetë epoka e Romantizmit Shqiptar në letërsi ka qenë në simbiozë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Këtë kohë, shkrimtarët ishin edhe autorë, por edhe ideologë. Kjo ndërlidhje nuk u zbeh gjatë epokës së modernizmit, ku kemi të shfaqur Gjergj Fishtën, i cili thuajse në gjithë krijimtarinë e tij, identitetin kombëtar shqiptar dhe historinë e tij e paraqiti dhe e lartësoi në veprat e tij, qofshin epike, lirike dhe dramatike. Kjo ndërlidhje paksa u zbeh gjatë shfaqjes së letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri, por që kjo lidhje (pra letërsi-identitet nacional) u mbajt e fortë falë autorëve të Kosovës, të cilët nuk lejuan që letërsia shqipe të bie e tëra në hendekun e letërsive ideologjike. Kjo epokë e letërsisë dhe ky brez i shkrimtarëve pati ndikim të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe në mobilizimin dhe përkrahjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, epokën dhe formacionin më të shenjtë historik të shqiptarëve.
Muharrem Vojvoda:
A mendoni se është e rëndësishme që shkrimtarët të përfshihen në çështje sociale dhe politike në veprat e tyre?
Albin Mehemti:
Shkurt e shqip, shkrimtari nuk duhet t’i shërbejë ideologjive. Letërsia duhet të mbetet letërsi, apo siç e quajti Aristoteli, fisnikërim i shpirtit. Mirëpo, shpesh ndodhin gjëra që këto praktika duhet anashkaluar. Shpeshherë shkrimtari duhet të jetë flakadani i ndryshimit shoqëror, qoftë përmes kritikës ndaj fenomeneve, apo edhe lavdërimit të diçkaje që do ta flakë të keqen. Si në të parën, si në të dytën shkrimtari duhet ruajtur estetiken e letërsisë.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë karrierës suaj si shkrimtar?
Si çdo shkrimtar edhe unë pata sfidat e mia në fillim të karrierës, por që u tejkaluan falë njerëzve të mirë që kam afër vetes. Sfidat e para ndërlidheshin kryesisht me vështirësitë e depërtimit në rrethet letrare dhe arritjet deri tek lexuesi. Pas kalimit të këtyre sfidave, prej neve mbetet vetëm puna dhe përsosja estetike.
Muharrem Vojvoda:
A keni ndonjë qëndrim të veçantë lidhur me gjuhën dhe identitetin kulturor në veprat tuaja?
Albin Mehemti:
Ata që më njohin i dinë idetë e mia kosovocentriste, por që idetë dhe bindjet mbesin jashtë kopertinave të librave. Mbase qëndrimet e mia për gjuhën mund të vërehen tek poezitë, të cilat janë të shkruara në dialektin gegë. Ky mund të kuptohet nga studiuesit e letërsisë si revoltë ndaj vendimeve politike rreth standardit të shqipes.
Muharrem Vojvoda:
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen në fushën e krijimtarisë letrare?
Albin Mehemti:
Unë jam nga ata që bëj plane shumë por realizimi i tyre shkon me tempon e breshkës. Në plane janë botimi i një studimi për veprën prozaike të Qosjes, një roman e një libër me poezi. Cila do të jetë e para s’e di, ndoshta do të vjen një libër i tretë me tregime.