Roja Bregdetare e Greqisë e ka gjetur një grup prej 14 emigrantëve në bregdetin e një ishulli të vogël në lindje të Detit Egje të martën në mëngjes, njoftuan autoritetet greke.
Pesë burra, gjashtë gra dhe tre fëmijë u gjetën në ishullin e largët Farmakonisi, bashkë me trupin e një burri të vdekur. Nuk është e qartë se si ka vdekur ai.
Ky grup kishte mbërritur në ishull nga bregdeti turk përmes një barke të vogël gomone, e cila u fundos, thanë autoritetet. Nuk u raportua për të zhdukur. Emigrantët dhe burri i pajetë u dërguan në ishullin e afërt, Leros, tha Roja Bregdetare.
Numri i emigrantëve që kanë mbërritur në Greqi përmes detit është rritur së fundmi, të cilët kanë ikur nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi, në kërkim të një jete më të mirë në Bashkimin Evropian.
Roja Bregdetare tha më vonë se edhe tri anije të tjera me më shumë se 100 njerëz mbërritën në ishujt Lesbos, Samo dhe Chios, të cilët shtrihen afër bregdetit turk.
Një gomone me 48 persona u pa pranë bregdetit të Lesbosit nga anijet patrulluese, derisa një tjetër me 25 persona, përfshirë katër fëmijë, u gjet pranë ishullit Samos.
Anija e tretë, që po barte 33 njerëz, u gjet afër ishullit Chios. Roja Bregdetare tha se drejtuesit e anijes u përpoqën ta shmangin rojën bregdetare duke bërë manovra të rrezikshme dhe nuk iu përgjigjën sinjaleve të dritës dhe zërit.
Nuk u raportua për të lënduar dhe 32 burrat dhe një grua në bord u dërguan në një kamp emigrantësh në Chios.