Kosova i është marrë Serbisë, tha të hënën presidenti kroat Zoran Milanoviç.
“Ne dhe bashkësia ndërkombëtare e bëmë këtë”, tha ai në Petrinja, duke folur për agresionin rus kundër Ukrainës dhe ngjashmëritë mes Krimesë dhe Kosovës, transmeton Tanjug, duke iu referuar mediave kroate.
“Deri sa ta kuptoni se Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj… Se, për fat të keq, ky është një fakt i dhimbshëm dhe një rrezik. Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Është marrë nga Serbia. Kush e bëri atë përveç nesh? A e kemi njohur Kosovën? Nuk është aneksim, është shpronësim”, tha Milanoviç.
Sipas tij, është një koncept në të cilin dikush mendon se ka të drejtë.
“Po kështu Krimea…Krimea nuk do të jetë më kurrë Ukrainë. Kështu thonë gjeneralët kryesorë gjermanë”, tha ai, duke shtuar se mijëra njerëz po vdisnin atje.
Ai tha se “Rusia është një vend i rrezikshëm” dhe se askush nuk e kupton këtë.
“Ju po i krahasoni serbët, këta opançarët, që u rebeluan atje, me superfuqinë bërthamore të botës. Emocionet e çmendura dhe urrejtja po e çojnë Evropën në një rrezik të madh”, tha Milanoviç.
Ai tha se fakti është se “ukrainasit i urrejnë rusët në mënyrë patologjike”, me pretendimin se “kroatët nuk i urrejnë serbët aq sa i urrejnë rusët atje”.
Kur u kujtua nga gazetarët se vlerësimet e tij të mëparshme për Ukrainën ishin të gabuara, kur ai pretendonte se Rusia nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën, sepse nuk ka ushtarë të mjaftueshëm, Milanoviç përsërit se kjo është e saktë.
“Nuk mjafton. Ishte një vendim i keq nga Rusia, sepse ata mendonin se qeveria (në Ukrainë) do të rrëzohej”.
“Po futemi më thellë në konfliktin me superfuqinë. E dini si përfundojnë duke humbur luftën? Pra në fund përdorin armë bërthamore”, ka thënë Milanoviç dhe ka shtuar se po mundohet t’ua hapë sytë të tjerëve, sepse “po hyjmë në luftë me një superfuqi”.
Ai vuri në dukje se “emocionet e çmendura po e çojnë Evropën në diçka me të cilën nuk do të mund të përballet”.
Ai beson se asnjë tank amerikan nuk do të shkojë në Ukrainë këtë vit.
“Nga viti 2014 deri në vitin 2022, ne po shikojmë dikë të provokojë Rusinë me qëllimin për të nisur këtë luftë. Ajo shpërtheu. Ka kaluar një vit dhe ne po flasim vetëm për tanket. Asnjë tank amerikan nuk do të shkojë në Ukrainë brenda një viti. Ne do të dërgojmë të gjitha tanket gjermane atje”, tha ai.
Ai tha se “tanket gjermane i pret i njëjti fat” si më parë.