Tifo-grupi “Torcida” ka publikuar dokumentarin për klubin e tyre, Trepçën, me titullin “Liri për Trepçën”.
Në këtë dokumentar janë publikuar shumë gjëra, ku pretendohet se ka paga të papaguara të lojtarëve, telashe të brendshme si dhe ajo që tifozët e quajnë “keqmenaxhim të klubit”
Videoja fillon duke treguar historinë e klubit futbollistik Trepça, se si ishte themeluar dhe sukseset e saja.
Ndërsa janë shpalosur edhe pamje të vjetra historike ku tregojnë dashurinë e tifozëve për klubin.
“Në vitin 2014-15, rënia nga Superliga ishte një goditje e rëndë për qytetin edhe pse në vitin 2016 u rikthyem për një moment në elitë, ajo dritë nuk zgjati shumë klubi ra përsëri, duke lënë pas zhgënjim dhe mall”, thuhet në dokumentar, transmeton Klankosova.tv.
Ky dokumentar vjen nga tifozët, si në formë proteste ndaj drejtuesve të klubit, ku kanë shpërfaqur telashet e mëdha që i përfshijnë ata si tifozë, si dhe telashet e mëdha të lojtarëve.
Megjithatë, në video shpaloset edhe një formë proteste nga ana e tifozëve, ku sipas tyre, klubi është duke u keqmenaxhuar.
“Ky klub është marrë peng dhe nuk është më çështje tifozësh, por është çështje publike, aty ku nuk ka transparencë dhe menaxhohet nga një rreth familjar dhe çdo person që kritikon, kërcënohet, atëherë problem është serioz”, ka thënë një ndër anëtarët e tifogrupit Torcida.
Gjithashtu bëhet e ditur edhe telashe të shumta në klub ku sipas “Torcidës”, është edhe përfitimet personale të kryesisë së Trepçës.
“Këtu jena duke e pasë një problem të madh që është duke u përsëritë, klubi i madh i Trepçës nuk është duke u largu nga Liga e Parë, për përfitime personale të kryesisë aktuale të Trepçës, shumë premtime çdo sezon nuk mbahen, rrogat e lojtarëve vonohen. Ka ankesa dhe kjo është arsyeja. I bëjmë thirrje krejt mitrovicalive për më ju bashku kauzës tonë, kjo nuk është më vetëm problem sportive, por duhet me u hetu dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi”, ka thënë një anëtar tjetër në videon e publikuar nga tifo-grupi Torcida.
Më poshtë gjeni dokumentarin e plotë:








