Ekziston një tipologji aktorësh publikë në Kosovë, që e projektojnë veten si “rebelë” ndaj rendit ekzistues, por që në thelb mbeten konformistë të zakonshëm, të prirur drejt oportunizmit dhe servilizmit ndaj strukturave të pushtetit.
Ata përgjatë kohës, ndërtuan një identitet diskursiv kundër “mainstream-it”, duke pretenduar statusin e një avangarde intelektuale, por përmbajtja e këtij pozicionimi po rezulton e zbrazët dhe pa substancë reale kritike.
Rebelizmi autentik nuk konsiston në një distancim retorik nga shoqëria apo në vetëshpalljen si superior ndaj “masës”.
Përkundrazi, ai kërkon përballje të drejtpërdrejtë me të vërtetat e vështira: me mekanizmat e propagandës, me padrejtësitë strukturore dhe me sfidat që imponojnë kosto personale dhe përgjegjësi morale. Pikërisht në këto momente vendimtare, këta aktorë të vetëshpallur si kritikuesë shpesh heshtën, ose edhe më keq, u rreshtuan në mënyrë oportuniste me interesat damkosëse për vendin.
Në emër të një elitizmi të vetëkrijuar, ata kultivuan një diskurs përçmues ndaj shoqërisë, duke ushqyer përçarje dhe duke prodhuar një gjuhë që është përçarëse, fyese dhe që nuk transformon por hegjemonizon masën.
Etiketimi i shumicës si “e paditur” apo “inferiore” nga këta aktorë publikë, nuk është shenjë e epërsisë intelektuale, por manifestim i një boshllëkut të tyre të brendshëm, i komplekseve të pashlyera dhe i frustrimeve që u burojnë nga pamundësia e tyre për të prodhuar vlerë reale.
Një pjesë e këtyre aktorëve përjetojnë gjithashtu një krizë legjitimiteti: ata që dikur kontribuuan në delegjitimimin e një elite, sot po përballen me faktin se janë marginalizuar nga elita që ata ndihmuan të ngrihet.
Sot, iluzioni i superioritetit të tyre po përplaset me realitetin, duke nxjerrë në pah paqëndrueshmërinë e orientimit të tyre identitar dhe moral.
Problemi nuk qëndron thjesht në ekzistencën e këtyre zërave, fundja ato janë pjesë e natyrshme e çdo hapësire publike pluraliste. Problemi lind kur atyre u atribuohet një peshë disproporcionale dhe kur tentojnë të imponohen si autoritet orientues, pa pasur kapitalin etik dhe intelektual për ta justifikuar këtë rol.
Historia dëshmon se manipulimi i opinionit publik mund të funksionojë përkohësisht, por jo në mënyrë të qëndrueshme.
Dhe se legjitimiteti afatgjatë ndërtohet vetëm mbi koherencë, integritet dhe përgjegjësi.
Prandaj, përgjigjja ndaj këtij fenomeni dhe këtyre tipologjive, nuk duhet të reduktohet në kritikë të thjeshtë. Ajo duhet të artikulohet edhe si ndërtim alternativ: një projekt që refuzon mllefin si motor politik, që nuk bazohet në përçmim ndaj qytetarit dhe që nuk maskon servilizmin me gjuhë pseudo-kritike.
Vetëm një alternativë e tillë e rrënjosur në ndershmëri, në racionalitet dhe në përkushtim ndaj interesit publik, është përgjigja e duhur ndaj fallcitetit dhe mediokrës së këtyrëve rebelëve profiterë.







