Tema që ndajnë politikën e Kosovës: Zajednica, shkëmbimi i territoreve, demarkacioni dhe Gjykata Speciale Që nga viti 2013, politika e Kosovës është ndarë thellë rreth disa temave kryesore: Zajednica (Asociacioni), shkëmbimi i territoreve, demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale. Këto çështje kanë dominuar debatet publike dhe politike për më shumë se një dekadë dhe kanë qenë edhe baza mbi të cilën u ngrit opozita e atëhershme, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje. Sot, disa nga këto tema mund të konsiderohen pjesërisht të “konsumuara”. Demarkacioni është ratifikuar, Gjykata Speciale është drejt përfundimit të mandatit të saj, ndërsa në qendër të debatit ka mbetur kryesisht çështja e Zajednicës. Megjithatë, për shkak se këto kanë qenë kauza të forta opozitare, lind pyetja: çfarë është bërë realisht për to tani që ish-opozita është në pushtet? Shkëmbimi i territoreve Ideja e shkëmbimit territorial nuk është e re. Ajo ka qarkulluar që nga vitet 1990, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, kur disa analistë dhe politikanë ndërkombëtarë përmendën mundësinë e ndarjes së Kosovës sipas vijës etnike. Pas luftës së Kosovës dhe gjatë procesit të statusit, këto ide mbetën kryesisht në qarqe jozyrtare diplomatike. Debati u rikthye fuqishëm në vitet 2017–2018 gjatë dialogut Kosovë–Serbi, kur u diskutua mundësia e “korrigjimit të kufijve”: veriu i Kosovës t’i kalonte Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës. Politikanë dhe akademikë serbë si Dobrica Ćosić, Branislav Krstić dhe Dušan Bataković kanë propozuar gjatë viteve modele të ndryshme të ndarjes ose kantonizimit të Kosovës, me synimin për të ruajtur kontrollin mbi veriun, manastiret ortodokse dhe asetet ekonomike. Edhe disa diplomatë dhe analistë ndërkombëtarë kanë diskutuar gjatë viteve modele të ndryshme të ndarjes etnike si mënyrë për të stabilizuar rajonin, megjithëse këto ide nuk u bënë kurrë politika zyrtare. Në vitet 2017–2018, disa politikanë kosovarë dhe ndërkombëtarë e konsideruan shkëmbimin territorial si një alternativë për të shmangur krijimin e Asociacionit: veriu i Kosovës t’i kalonte Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës. Ky propozim u kundërshtua ashpër nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, çdo shkëmbim territoresh do të minonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kurti ka deklaruar se “Zajednica dhe shkëmbimi territorial janë të njëjtat përpjekje për ndarjen e Kosovës”. Megjithatë sot, realiteti politik ka ndryshuar. Ndërkohë që dikur thuhej se nuk duhet të ketë Asociacion, sot dëgjojmë gjithnjë e më shpesh deklarime se Asociacioni duhet të krijohet në një formë të caktuar në kuadër të marrëveshjeve të dialogut. Në këtë kontekst, një zhvillim tjetër i rëndësishëm është edhe fakti që Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një ligj që kundërshton ndryshimet territoriale në Ballkan mbi baza etnike. Në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA për vitin fiskal 2026 përmendet se administrata amerikane nuk do të mbështesë politika që promovojnë shkëmbime territoriale ose ndarje etnike në rajon. Kjo në praktikë e ka mbyllur pothuajse përfundimisht debatin për shkëmbimin territorial si opsion politik. Megjithatë, pasojat psikologjike të këtij debati vazhdojnë të ekzistojnë. Për shumë vite, veriu i Kosovës është trajtuar si një hapësirë e pakontrollueshme nga shteti dhe kjo ka krijuar edhe një perceptim në një pjesë të shoqërisë se ai territor nuk funksionon realisht si pjesë e plotë e shtetit të Kosovës. Demarkacioni me Malin e Zi Një tjetër temë që ka ndarë fort politikën kosovare ishte demarkacioni me Malin e Zi. Marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare u nënshkrua në vitin 2015 dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018. Ratifikimi i saj ishte një nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Albin Kurti dhe Vetëvendosje e kundërshtuan fuqishëm këtë marrëveshje, duke argumentuar se Kosova mund të ketë humbur rreth 8.200 hektarë territor. Megjithatë, kjo shifër vjen kryesisht nga deklarata politike dhe nuk është konfirmuar nga ndonjë vendim juridik ose hartografik ndërkombëtar. Deri më sot nuk ekziston një vendim zyrtar ndërkombëtar që konstaton qartë se Kosova ka humbur territor. Po ashtu, edhe pas ardhjes në pushtet dhe përkundër fuqisë së madhe politike, kjo kauzë opozitare nuk ka prodhuar një përfundim të qartë institucional: as një vendim që thotë se Kosova ka humbur kaq hektarë tokë, dhe as një vendim që tregon se Kosovës i janë kthyer kaq hektarë territor. Për këtë arsye, çështja ka mbetur në një lloj mjegulle politike dhe opinioni publik vazhdon të jetë i ndarë. Përfundim Shkëmbimi territorial, demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Zajednica kanë qenë temat që kanë ndarë më shumë politikën dhe shoqërinë në Kosovë gjatë dekadës së fundit. Dikur ato ishin kauza të forta opozitare, por sot shumë prej tyre janë bërë realitet institucional ose kanë hyrë në një fazë tjetër të debatit. Megjithatë, edhe pas ardhjes në pushtet, nuk kemi parë një sqarim të plotë institucional për disa prej këtyre çështjeve. Përkundrazi, në disa raste kemi parë edhe ndryshim të narrativës politike nga një diskurs ku thuhej se nuk duhet të ketë Asociacion, në një realitet ku sot flitet për zbatimin e tij. Duhet theksuar gjithashtu se në të gjitha këto kauza, Albin Kurti ka qenë një nga figurat kryesore të opozitës. Megjithatë, edhe pas ardhjes në pushtet, në asnjërën prej tyre nuk kemi parë një zgjidhje përfundimtare politike: nuk ka pasur iniciativa konkrete për rishikimin e demarkacionit, ndërsa në trashëgiminë e dialogut me Serbinë ka mbetur edhe Marrëveshja e Ohrit. Paradoksi më i madh është se një pjesë e opinionit publik sot është mësuar ta dëgjojë Albin Kurtin duke thënë se Asociacioni duhet të zbatohet në një formë të caktuar ndërkohë që pikërisht kundërshtimi i tij ishte për vite me radhë një nga kauzat kryesore politike mbi të cilat u ndërtua karriera e tij politike.
Shkruan: Hajdin Ujkani






