Ballina Hallakamë Në kohën e pandemisë së coronavirusit, në Kosovë bie numri i aksidenteve,...

Në kohën e pandemisë së coronavirusit, në Kosovë bie numri i aksidenteve, vjedhjeve e rasteve kriminale


Implementimi i  masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, për të parandaluar infektimin me coronavirus, ka ndikuar që në krahasim me vitin e kaluar, në këtë periudhv të ketë më pak vjedhje, aksidente e grabitje në vend. 

Megjithatë, vetëm për dy ditë për raste të ndryshme penale, si vjedhje, grabitje, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion 10 persona. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

“Është e vërtetë që prej fillimit të implementimit të këtyre masave, numri i rasteve në përgjithësi duke përfshirë edhe aksidentet e trafikut por edhe rastet të vjedhjeve dhe grabitjeve kanë shënuar një rënie. Ne ende nuk i kemi nxjerr statistikat të sakta me bë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mirëpo vërehet një rënie e dukshme”, tha Ahmeti.

“Për vjedhje, grabitje, raste të ndryshme penale për dy ditët e fundit  i kemi 10 persona të shoqëruar në polici”, tha ai.

Ahmeti, thotë se situata e krijuar me pandeminë në vend, ka ndikuar në zvogëlimin e rasteve kriminale, pasi që qytetarët qëndrojnë të mbyllur që mos të infektohen.

E për këtë Ahmeti thotë se edhe personat e dyshuar që kryejnë këto vepra nuk guxojnë të lëvizin.

“Për shkak se do të thotë se qytetarët janë nëpër shtëpia, sigurisht edhe personat e dyshimtë nuk lëvizin aq dhe kjo ka ndikuar në zvogëlimin e rasteve kriminale në tërë territorin e Kosovës”, theksoi ai.

Ahmeti, thotë se përveç implementimit të vendimeve të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit, kryen edhe detyrat e tyre të rregullta.

“Në baza ditore ka edhe raste të arrestimeve për vepra të tjera, ka raste të armëmbajtjes pa leje, ka rasteve të vjedhjeve. Policia përveç implementimit të vendimeve dhe parandalimit të përhapjes së virusit kryen edhe detyra të tjera, raste të intervisimit të palëve edhe pse maksimalisht e kemi reduktuar, mirëpo në baza ditore ne kryejmë detyrat tona të rregullta dhe ka edhe arrestime ka edhe shoqërime në stacion edhe hapjeve të rasteve të procedimit”, tregoi ai.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar janë shkaktuar 14, 552 aksidente, ku si pasojë në 90 që ishin fatale  humbën jetën 103 persona.

Ndërsa, në fundit të vitit 2019, ajo çfarë u veçua nga Drejtoria për Operacione ishte ulja e veprave penale për afër 16%. Për aktivitete kriminale u arrestuan mbi 13 mijë persona.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here