Ballina Diaspora Der Spiegel: Intrigat që rrëzuan politikanin që deshi ta luftonte korrupsionin

Der Spiegel: Intrigat që rrëzuan politikanin që deshi ta luftonte korrupsionin


Gazeta prestigjioze gjermane “Der Spiegel” ka publikuar një artikull që i kushtohet situatës shoqërore dhe politike në Kosovë.

Në artikullin e shkruar nga autori Keno Verseck, thekson se politikanët vendor dëshironin ta hiqnin qafe Albin Kurtin për shkak se ai paralajmëroi një luftë të ashpër kundër elitës së korruptuar.

Sipas gazetës një ndihmë e madhe për rrëzimin e Qeverisë u bë nga ana amerikane për shkak se Kurti kundërshton planet për shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të.

“Kosova, një ndër vendet më të varfra të Evropës, është e shqetësuar këto ditë. Ndonëse Kosova nuk është shumë e prekur nga koronavirusi, numri i të infektuarve po rritet. Sistemi shëndetësor do të mbingarkohej nëse rritet numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv. Në pothuaj të gjitha spitalet mungon personeli dhe pajisje. Pikërisht në këtë situatë kur urgjentisht kërkohet një menaxhim i përbashkët i krizës, establishmenti politik kosovar ka shkaktuar një krizë të rëndë shtetërore: të mërkurën shumica e parlamentit votoi një mocion mosbesimi ndaj politikanit të majtë reformator Albin Kurti. Ai tani është ushtrues detyre i kryeministrit. Qeveria e Kurtit do të ishte e para qeveri vërtet reformatore e Kosovës që nga fundi i luftës para 20 vitesh. Ajo qëndroi në pushtet 51 ditë “- shkruan “Der Spiegel” përcjell Klan Kosova.

Mocionin e dorëzoi partneri i koalicionit i Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe sipas “Der Spiegel” shkas  për mocionin ishte gjoja menaxhimi i keq dhe i paligjshëm i krizës së koronës nga ana e qeverisë.

Në prapavijë u zhvillua një intrigë e kurdisur nga kundërshtarët politikë të Kurtit në Kosovë dhe nga diplomacia e SHBA.

“Politikanët vendor dhe administrata amerikane dëshironin ta hiqnin qafe Kurtin për dy arsye. Partia e Kurtit angazhohet për një politikë strikte kundër korrupsionit, për qeverisje transparente dhe për reforma në sektorin social, të shëndetësisë dhe arsimit. Me sa duket për pjesën më të madhe të LDK-së kjo ishte e tepërt.Arsyeja e dytë e rrëzimit të Kurtit ishte për shkak se ai kundërshton zgjidhjet diplomatike sekrete të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të. Presidenti Donald Trump synon një zgjidhje të shpejt të konfliktit që këtë ta shfrytëzojë para zgjedhjeve në nëntor si kryevepër diplomatike”.

Sipas “Der Spiegel”, erdhi deri te një konflikt i hapur mes kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe Richard Grenellit, të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi i presidentit amerikan Donald Trump.

Grenell kërkoi që Kurti t’i heq tarifat ndaj importeve nga Serbia pa asnjë parakusht. Kurti pranoi t’i heq tarifën pjesërisht, por me kusht që Serbia të lëshojë pe në çështje diplomatike.

“Rënia e Kurtit nisi kur ai javën që shkoi e shkarkoi ministrin e Brendshëm Agim Veliu për shkak se ai kokë më vete përkrahu shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kësisoj do të merrte kompetenca shtesë kryetari Hashim Thaçi, një kundërshtar i rreptë i Kurtit dhe njëri nga koka e establishmentit të korruptuar kosovar. “Der Spiegel” citon eurodeputeten Viola von Cramon-Taubadel, e cila tha se rrëzimi i qeverisë ishte një “manovër krejtësisht e papërgjegjshme”. “BE tani duhet të mbajë qëndrim dhe të marrë punët në dorë në aspektin diplomatik në Kosovë”, tha ajo “, shkruan “Der Spiegel” përcjell Klan Kosova.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen gjermanei tha se qeveria e tij u rrëzua nga një “elitë politike e korruptuar”, e cila prej vitesh i ka parasysh së pari interesat e veta.

“Pasi që gjatë mandatit tim gjërat ndryshuan, ata po e kanë vështirë të pajtohen me këtë”. Kurti u tregua i rezervuar me kritika ndaj diplomacisë amerikane. Grenell, “është mashtruar nga disa udhëheqës politikë ”

Se si do të ecin gjërat në Kosovë tani është vështirë të parashikohet.

Është e mundshme të mbahen zgjedhje të reja apo të krijohet një koalicion i ri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here