Ballina Hallakamë Mitrovicë/U mbajt takimi me qytetarë për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa...

Mitrovicë/U mbajt takimi me qytetarë për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje

Ndertesa e Komunes se Mitrovices. 10.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur takimi publik me qytetarë lidhur me temën “Trajtimi i Ndërtimeve pa Leje”, njofton Ditori.

Në këtë takim ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, udhëheqësi i sektorit për Legalizim, Besim Shala, zyrtarë tjerë komunal nga DPU, drejtori i organizatës për Zhvillim Civil (CDO), Migjen Abrashi, dhe një numër i shumtë i qytetarëve.

Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, falënderoi qytetarët për interesimin dhe pjesëmarrjen e tyre, si dhe organizatën CDO për bashkëpunimin e vazhdueshëm në trajtimin e shumë temave që janë në interes të komunës dhe qytetarëve.

Nënkryetari Mujka potencoi se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është në interes të dy palëve, komunës dhe qytetarëve. Po ashtu ai theksoi se të gjitha të hyrat komunale nga pagesat e legalizimeve, kthehen në të mirë të qytetarëve, duke i orientuar ato në infrastrukturë, rrugë, ujësjellës e kanalizime.

Ndërsa nga organizata CDO, Migjen Abrashi, tha se ky takim ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe përgjegjësisë së qeverisjes lokale, në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse duke identifikuar, analizuar dhe avokuar sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje.

Në fund udhëheqësi i sektorit për Legalizim, Besim Shala, prezantoi para të pranishmëve benefitet e ligjit të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke thënë se objektet të ndërtuara deri më 5 Shkurt 2018 do të trajtohen me ligjin e ri.

“Komuna me këtë ligj do ti trajtoj kategorinë I dhe kategorinë II. Taksat për kategorinë I është 1€/m2 dhe kategoria II është 2€/m2, ndërsa ekzistojnë listat e legalizimeve (të gjitha objektet që i plotësojnë kushtet për tu legalizuar), lista e pritjes (objektet që nuk i plotësojnë kushtet për tu legalizuar, në tokat bujqësore, shoqërore, zona të mbrojtura etj) në këtë listë pritet Ministria të nxjerr ligjet e reja për ti trajtuar, si dhe lista e tretë është lista e rrënimit (të gjithë ata që nuk aplikojnë apo ju refuzohet legalizimi)”, tha ndër të tjerash udhëheqësi Besim Shala.

Deri më tani në Komunën e Mitrovicës sa i përket procesit të legalizimit janë gjithsej 59 kërkesa të pranuara, 23 të miratuara për legalizim, 11 janë në listën e pritjes dhe në proces 15./Ditori/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here