Ballina Kryesore Kosovë – Suedi, sot për të treguar që kemi të ardhme!

Kosovë – Suedi, sot për të treguar që kemi të ardhme!


Kombëtarja e Kosovës zhvillon sot ndeshjen miqësore kundër Suedisë, në Doha të Katarit.

Me kohën lokale, sfida fillon prej orës 15:45, ndërsa ndeshjen mund ta ndiqni në RTK.

Sa i përket ekipit, stërvitja e fundit ka qenë pa ngarkesë të madhe fizike, ku përzgjedhësi Bernard Challandes është përqendruar në aspektin taktik, duke provuar skema të ndryshme të lojës dhe duke i dhënë këshillat e nevojshme për lojtarët.

Gjendja e futbollistëve është e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për ndeshjen e sotme, të cilën po e presin me entuziazëm të madh për t’i treguar vlerat e tyre përballë një kundërshtari të fortë siç është Suedia.

Përzgjedhësi Bernard Challandes, u shpreh optimist para takimit.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë lojtarët për të treguar çfarë mund të japin dhe po ashtu edhe për ne një mundësi e mirë për të parë lojtarët, sidomos ata që luajnë në Kosovë, por edhe ata që janë jashtë që nuk kanë qenë deri tash pjesë e Kombëtares”, deklaroi Challandes.

“Mendoj se ky kamp me kushte shumë të mira është një ide e mirë. Po ashtu, synimi është që t’i shohim disa lojtarë të rinj, jo për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, por për të ardhmen”.

“Ne kemi 11 lojtarë shumë të ri, nën moshën 21-vjeç dhe jam i lumtur që këtu kemi lojtarë shumë të ri. Nuk është e lehtë as për ne që t’i shikojmë cilësitë individuale të futbollistëve në kampionatin vendor, pasi shpesh fusha nuk është e mirë”.

“Këtu është ndryshe, sepse kemi stërvitur çdo ditë së bashku dhe kushtet kanë qenë shumë të mira. Shpresoj që të befasojmë edhe me lojë të mirë”, shtoi ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here