Ballina Hallakamë “Gjithçka ndodhi brenda një minute – Lulzimi s’kishte lëvizur fare, polici e...

“Gjithçka ndodhi brenda një minute – Lulzimi s’kishte lëvizur fare, polici e vrau në kamion”


Me djalin e hasretit, Lulzim Spahiu mëngjesin e së shtunës kishin marrë rrugë nga Muçivërca e Kamenicës për në Prizren. Aty kishin planifikuar që t’i shisnin disa krerë gjedhe. Por, një aksident trafiku i shkaktuar nga Lulzimi me zyrtarin e policisë Vllaznim Hamdiu, u shndërrua në tragjedi. Polici ia shkrepi një plumb në kokë, i cili doli të jetë vdekjeprurës për  Lulzimin. Para trupit gjykues, i dyshuari për vrasjen, Vllaznimi e ka pranuar se e ka gjuajtur viktimën, por ka thënë se s’ka pasur qëllim ta vras. Gjykata i shqiptoi një muaj paraburgim zyrtarit policor për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.

Gentiana HASANI

Qindra persona gjatë ditës së sotme kishin marrë rrugë për në shkollën e fshatit Muçivërc të komunës së Kamenicës. Aty po qëndronte trupi i pa jetë i Lulzim Spahiut, i cili mëngjesin e së dielës së 29 dhjetorit me një plumb në kokë u vra nga zyrtari i policisë së Kosovës, Vllaznim Hamdiu në rrugën ‘NATO 99’, të Gjilanit.

Lamtumira e fundit iu dha Lulëzimit sot nga ana e familjarëve e miqve të familjes Spahiu.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e Lulzimit të ndjerë në fshatin Muçivërc.

Kamioni në të cilin gjendej Lulzim Spahiu

Familjarët kanë treguar rreth momentit kritik kur Lulzimi, i cili ishte vozitës i një kamioni, kishte bërë aksident rreth orës 05:00 të mëngjesit me një veturë në të cilën gjendej Vllaznimi bashkë me dy persona të tjerë. Një grua dhe një burrë.

“Gjithçka ka ndodhur brenda një minute”, kështu e nisin rrëfimin familjarët e Lulëzimit të ndjerë për gjithë ngjarjen.

Foto brenda kamionit ne te cilin u vra Lulzim Spahiu

Ahmet Spahiu, ka thënë se tashmë i ndjeri Lulzimi e kishte goditur me kamion veturën e policit (Vllaznimit). Mirëpo sipas tij polici nuk kishte marr lëndime trupore.

“Lulzimi gjatë ditës së premte i kishte bërë gati gjedhet për t’i çuar në Prizren ku u nis të shtunën.. Ky ka qenë në rrugën e tij, tu shku me e ba punën e tij. Në rrugën qarkore janë ndeshë me veturën e këtij policit”, tregon për momentin e aksidentit familjari i Lulzimit.

Ai ka sqaruar se menjëherë pasi që ka ndodhur aksidenti djali i të ndjerit kishte dalë nga kamioni për të parë se çka ka ndodhur dhe a ishte lënduar  Vllaznimi i cili gjendej në veturë. Por, polici, sipas familjes së Lulzimit kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar që ta shtyjë djalin e të ndjerit si dhe e kishte kërcënuar.

Kamioni i Lulzim Spahiut

“Situatën ai e ka provokuar maksimalisht, i ka provokua, i ka shty edhe në fund ka thënë iu vras. Në moment të caktum ka shku te personi i cili ka qëndruar në kamion, fare nuk ka lëvizë. Ai ka shku aty edhe e ka vra. Djali pas aksidentit ka dal i pari, ka dashtë me kërkuar marrëveshje, ai e ka shty djalin, e ka kërcënua. Ju ka thanë ju vras”, thotë Ahmet Spahiu.

Ai ka thënë se familja Spahiu asnjëherë më parë nuk kishin pasur mosmarrëveshje me zyrtarin policor Vllaznim Hamdiun.

“Këta as nuk e njohin e as nuk e dinë se kush është ai person. Djali kur e ka pa armën, ka ikë. Ai është kthyer tek baba i djalit edhe se ka lanë hiç me folë direkt ka shkrep me armë. Për një minutë gjithçka ka përfundu edhe situata ka dal jashtë kontrollit”, thotë Ahmeti duke treguar se tregtinë me gjedhe Lulëzimi e kishte bërë në mënyrë krejtësisht legale.

Gazeta Express, për këtë rast ka biseduar me vëllain e Lulzim Spahiut, Blerimin.  Ai ka treguar rreth asaj se çka i ka thënë nipi i tij (djali i të ndjerit), i cili kishte qenë bashkë me babanë në momentin tragjik.

“….nipi më thirri në telefon e më tha ‘O axhë, ai ka armë po vjen që të na vras”. Unë menjëherë i thash djalit ik nga aty. Ai (i dyshuari), ka shku edhe e ka gjuajte me armë vëllain i cili ka qenë në karrigen e shoferit ulur”, ka rrëfyer për Express vëllai i së ndjerit.

Blerim Spahiu ka treguar se nipin e tij e kishte udhëzuar të ikte nga vendi i ngjarjes.

Mirëpo, një ditë pas kësaj ngjarje të rëndë në Gjykatën Themelore të Gjilanit është mbajtur seanca e parë në të cilën është paparaqitur i dyshuari Vllaznim Hamdiu.

Ai ka rrëfyer momentin kur ka gjuajtur me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lulzim Spahiu.

“Në momentin kritik nuk kam qenë i dehur pasi që para atij momenti kam pirë. Por rasti ka ndodhur pas 6 apo 7 ore”, ka thënë ai para gjykatësit gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Polici i dyshuar tutje ka rrëfyer se viktimën kurrë nuk e ka njohur as nuk e ka takuar.

“Kur ka ndodhur aksidenti jam kërcënuar nga pasagjeri, i cili ka qenë në kamion. Momentin kritik i kam pasur tri revole, njëra nga to ka qenë me gaz, revolen zyrtare e kam pasur në brez dhe nuk e kam pasur uniformën veshur. Unë kam shkrepur me armë zyrtare, por nuk e kam pasur qëllim ta godas viktimën”, ka thënë ai.

Foto: Viktima Lulzim Spahiu ne te majte, i dyshuari Vllasnim Hamdiu ne te djathte

Ai tutje ka thënë se nuk e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e paraburgimit, ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiun.

Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë ka ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim policit Vllaznim Hamdiu, i cili dyshohet se me armë zjarri ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu./GazetaExpress/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here