Ballina Kryesore “Franca përballet me sfidën më të vështirë, Shqipërinë”

“Franca përballet me sfidën më të vështirë, Shqipërinë”


Uebsajti ndërkombëtar sportiv, Sportmole, e ka publikuar një artikull duke e parashikuar ndeshjen mes Francës dhe Shqiperisë, duke parashikuar fitore për francezët, por duke i theksuar edhe anët e forta të kuqezinjve.

Në kuadër të ndeshjeve të shtatorit, kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, Shqipëria do të përballet me Francën më 7 shtator dhe pastaj do ta presë Islandën në shtëpi tre ditë më vonë, transmeton Gazeta Express.

“Les Blues” e kryesojnë grupin A për momentin – ku garojnë edhe Turqia, Islanda, Shqipëria, Moldavia dhe Andorra – mirëpo kanë baras pikë me Turqinë dhe Islandën, përderisa Shqipëria radhitet e katërta me tri pikë më pak.

“Shqipëria nuk pritet të jetë kundërshtar aq i lehtë sa do të jetë Andorra për Francën, mirëpo mysafirët e së shtunës i kanë mposhtur vetëm dy skuadrat më poshtë se ta në renditje. Edhe me listën e mungesave, Franca e ka një skuadër plot yje dhe ka më shumë se mjaftueshëm cilësi për t’i marrë tri pikët e kësaj ndeshjeje”, shkruan Sportmole.

“Top treshja e Grupit H do të përballet këtë xhiro me treshen e fundit dhe Franca e ka sfidën më të vështirë prej tyre. Shqipëria ka fituar dy herë në këtë kampanjë kualifikuese dhe duan që të marrin pjesë për herë të dytë në Kampionatin Evropian, pasi nuk ishin kualifikuar kurrë më parë në një turne të madh para edicionit të vitit 2016 në Francë”.

“Vetëm tre pikë i ndajnë kuqezinjtë nga Franca. Nuk ka asnjë dyshim se skuadra e Didier Deschamps do të jetë favorit në këtë përballje, pasi i kanë fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit dhe kanë pësuar vetëm dy herë disfatë në 22 ndeshjet e fundit, ku përfshihen edhe ndeshjet e triumfit në Kupën e botës”.

“Kanë kaluar gjashtë vjet e gjysmë që kur Franca e ka humbur për herë të fundit një ndeshje në shtëpi, edhe pse ata janë të vetëdijshëm për rekordin e Shqipërisë si mysafire – disfata e tyre kundër Islandës në qershor ishte e para në gjashtë ndeshje si mysafire në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian”.

“Dy skuadrat u takuan edhe në EURO 2016, kur Franca fitoi me rezultat 2:0, edhe pse rezultati nuk është i drejtë për skuadrën e Shqipërisë, që ishte e barabartë me nikoqirët deri kur francezët shënuan gola në minutën e 90-të dhe të 95-të”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here