Ballina Femra Agjencia për Barazi Gjinore dënon vrasjen e gruas në Prizren

Agjencia për Barazi Gjinore dënon vrasjen e gruas në Prizren


Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit ka dënuar ashpër vrasjen e qytetares A.V. në Prizren nga ana bashkëshortit të saj.

“Dhuna në familje është një akt kriminal i dënueshëm dhe i kobshëm. Akti i tillë dhe aktet tjera të dhunës dhe ngacmimit seksual që kanë ndodhur në këta muajt e fundit janë të papranueshëm për ne si Agjenci por dhe si shoqëri. Aktet e dhunës dhe kryerësit e tyre duhet të dënohen penalisht nga organet e drejtësisë dhe moralisht nga gjithë shoqëria jonë. Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, komuniteteve, mbarë shoqërisë për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të qytetareve, mosgëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit, në mënyrë të vecantë të grave, nënave, motrave dhe bijave tona.

Si Agjenci, mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga bijat dhe bijtë e këtij vendi në përputhje me të drejtat e njeriut dhe veçanëristh me të drejtat e grave. Si shoqëri, si shtet, si qytetarë të këtij vendi ne kemi detyrën të mbrojmë jetën e çdo individi, pavarësisht përkatësisë gjinore, etnike, fetare, kulturore apo seksuale. Agjencia shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës dhe siguron të gjithë viktimat e dhunës në familje dhe baza gjinore dhe familjarët e tyre të këtyre muajve të fundit dhe më parë se mbështetja jonë dhe angazhimi ynë në kërkimin dhe sigurimin e drejtësisë nuk do të mungojë.

Agjencia kërkon që të gjithë të shtojmë angazhimin tonë qytetar dhe institucional, në formimin e një fronti të bashkuar kundër dhunës në familje dhe viktimave të dhunës në baza gjinore. ABGJ dhe njëherë kërkon që forca e ligjit, shtetit të së drejtës, të veprojë në mënyre që rastet e tillë të parandalohen dhe të mos përseriten dhe aktetet e këtyre krimeve të dënohen në pajtim me ligjin. Dhuna është e pa tolerueshme, çnjerëzore dhe me pasoja afatgjata për individët, familjet, komunitetet dhe mbarë shoqërinë. Kosova nuk ka më jetë për të sakrifikuar. Jeta është gjëja më e shenjtë që kemi, le ta mbrojmë dhe ta gëzojmë atë”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Një 61-vjeçar ka vrarë mbrëmë rreth orës 23:30, bashkëshorten e tij në Prizren.

E ndjera ishte nëna e këshilltares së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, Diellza Hotit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here