Ballina Kryesore Në Mitrovicë u mbajt akademi përkujtimore për heroin e kombit Hajrullah Sinani

Në Mitrovicë u mbajt akademi përkujtimore për heroin e kombit Hajrullah Sinani

Në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, gjatë ditës së sotme u mbajt akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së heroit kombëtar Hajrullah Hasani, njofton Ditori.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, duke vlerësuar lartë kontributin e heroit kombëtar dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë, tha se gjaku i tyre duhet të shërbej si udhërrëfyes se si të ruhet çdo cep i territorit të Republikës së Kosovës.

“Këta burra që kanë luftuar për këtë vend, që nuk janë të sotit apo të djeshit kanë luftuar qe 500 vjet për këtë vend dhe çdo vend është i ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe ajo aromë gjaku duhet me na mbrojt neve çdo kund, për të na vetëdijesuar që të ruhet çdo pëllëmb e truallit të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ai më tutje ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen në të cilën ndodhet Mitrovica edhe pas 20 vitesh në liri, me mesazhin që ta kthejnë kokën nga Mitrovica.

“Ta kthejmë kokën nga Mitrovica, për arsye se Mitrovica është djep i lirisë, është djep i atyre që e dhanë jetën për këtë vend, është hambar i ekonomisë së Kosovës. Unë vij nga një parti që është në qeverisje, por kur është në pyetje populli nuk njoh parti, një popull liridashës, i punës dhe i pendës siç është Mitrovica”, shtoi kryetari Bahtiri.

Në këtë akademi fjalën e mori edhe bashkëluftëtari Xhafer Preteni, i cili foli në emer të batalionit dhe brigadës 141 “Mehë Uka”. Duke folur rreth për shkathtësitë dhe kontributin e heroit Sinani dhe të gjithë pjestarëve të tjerë në luftë, tha se muaji prill i vitit 1999 shënon fazën më të lavdishme të kësaj historie.

“Muaji prill i vitit 1999 shënon fazën më të lavdishme të kësaj historie, shënon finale më të madhe të ballafaqimit frontal në mes të dy ushtrive jo të barabarta të parametrit ushtarak, në njërën anë ishin ata të cilët kishin teknikën dhe numrin e madh të ushtarëve, kurse në anën tjetër ishin ata të devotshmit, patriotët, djemtë e punëtorëve, minatorët dhe ishin shaljanët, pjesa më krenare e kombit tonë” ka thënë ai.

Kjo akademi përkujtimore është organizuar nën patronatin e kryetarit, Agim Bahtiri, në bashkëpunim me shoqatat e dala të Luftës së UÇk-së.

Akademia u përmbyll me momente artistike, ku për heroin kombëtar Hajrullah Sinani u lexuan poezi, ndërsa pas përfundimit të saj në vendlindjen e tij në Stan Tërg, është zbuluar pllaka përkujtimore për këtë dëshmor. Të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të komunës së Mitrovicës, familjar të dëshmorëve si dhe shumë qytetarë./Ditori/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here