Ballina Lajme Flet Rashica, pasi u zgjodh lojtari më i mirë i sezonit 2018/19

Flet Rashica, pasi u zgjodh lojtari më i mirë i sezonit 2018/19


Pasi u zgjodh lojtari më i mirë i Werder Bremenit për sezonin 2018/20, Milot Rashica i falënderoi tifozët dhe
 premtoi se do ta japë më të mirën e vet edhe gjatë sezonit të ardhshëm, 2019/20.

Lajmin  për shpërblimin e Milot Rashicës e bëri të ditur faqja zyrtare e Werder Bremenit në Twitter, duke shkruar: “Njeriu raketë duke e pranuar çmimin për Lojtarin Më Të Mirë të Sezonit 2018/2019. Urime Milot Rashica”, raporton Gazeta Express.

Pas këtij lajmi, edhe vetë Rashica i shfrytëzoi llogaritë e tij nëpër rrjete sociale për t’i falënderuar tifozët për këtë çmim.

“Dua të ju falënderoj të gjithëve për çmimin “Lojtari i sezonit”. Ky do të thotë shumë për mua! Do ta jap më të mirën time gjatë sezonit të ardhshëm”, shkroi Rashica në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Kosovari i bëri gjithsej 26 paraqitje sezonin e kaluar në Bundesligë, prej të cilave 19 herë ishte në formacionin e parë, ndërsa shtatë herë të tjera u inkuadrua në lojë nga stoli. Ai i luajti mesatarisht 59 minuta për ndeshje, ndërsa SofaScore e vlerësoi me notë mesatare 7.12 për paraqitjet e këtij sezoni.

Ai i shënoi nëntë gola, apo mesatarisht një gol për çdo 173 minuta lojë ose 0.4 gola për ndeshje. Rashica i bëri mesatarisht 1.8 goditje brenda kuadratit të portës për ndeshje, ndërsa gjatë gjithë sezonit i humbi vetëm katër raste të mira.

Gjatë gjithë ndeshjeve të sezonit, ai u ndëshkua me vetëm një karton të verdhë, ndërsa lojtarët ia bënin të paktën një ndërhyrje të parregullt për çdo ndeshje.

Rashica kontribuoi te skuadra e tij edhe me pesë asiste për bashkëlojtarët. Ai ishte i saktë në pasime 69 për qind mesatarisht, ndërsa i krijoi edhe shtatë raste shumë të mira për bashkëlojtarët e tij, të cilët megjithatë s’arritën t’i konkretizojnë ato në gola.

Sa i përket fazës së mbrojtjes, trajneri Florian Kohfeldt kishte bërë të ditur se në fillim nuk e aktivizonte atë në ndeshje për shkak se Rashica nuk ishte shumë i mirë në mbrojtje, megjithatë sipas SofaScore, ai nuk e bëri asnjë gabim që i kushtoi Bremenit me gol gjatë gjithë sezonit.

Milot Rashica e kishte shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta komentuar këtë sezon të tij, në të cilën shkëlqeu veçanërisht në ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2019.

“Ta mbyllësh sezonin me fitore është gjithmonë kënaqësi . Ishte një periudhë intensive dhe disa ndeshje të mrekullueshme. Megjithatë arritja deri në gjysmëfinale të Kupës dhe humbja e Evropës për vetëm një pikë më bën ta kujtoj këtë sezon me njërin sy të qeshur e me njërin të përlotur”, shkruan Rashica në llogarinë e tij në Instagram.

“Faleminderit të gjithë familjes #Werder për të gjithë mbështetjen e juaj të pabesueshme. Ju ishit të mrekullueshëm”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here