Ballina Kryesore FFK e paralajmëron klubin serb nga Mitrovica Veriore

FFK e paralajmëron klubin serb nga Mitrovica Veriore


Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka paralajmëruar klubin serb, të ashtuquajtur “Trepça”, në Mitrovicën e Veriut se do t’iu kërkojë shtëpive botërore dhe evropiane të futbollit, FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe autoriteteve të sigurisë në vend t’ia parandalojnë atij zhvillimin e ndeshjeve në territorin e Kosovës.

Klubet serbe të futbollit në Kosovë vazhdojnë të mos e njohin Federatën e Futbollit të Kosovës dhe ndeshjet i zhvillojnë në territorin e Kosovës si pjesë e ligave serbe që funksionojnë nën ombrellën e Federatës Serbe të Futbollit.

FFK-ja është e etur t’i japë fund kësaj, prandaj sot është mbledhur Komiteti Ekzekutiv i saj për ta analizuar gjendjen dhe është zotuar se do t’iu drejtohet FIFA-s, UEFA-s dhe organeve të rendit në vend për këtë.

“KE në fillim, shqyrtoi dhe analizoi situatën rreth klubit ë të ashtuquajtur klub i futbollit ‘Trepça’ nga Mitrovica e Veriut, në Divizionin e tretë të Republikës së Serbisë, ndaj për KE-në kjo është e papranueshme, sepse vetëm FFK-ja ka të drejtë që në territorin e Republikës së Kosovës të organizojë garat e futbollit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Organi qeverisës i futbollit në Kosovës e ka ripërsëritur se është i gatshëm t’i pranojë në sistemin e vet të garave të gjitha ekipet e minoriteteve në vend.

“FFK-ja gjithmonë ka qenë e gatshme të pranojë klubet e minoriteteve në sistemin e saj garues, andaj përpjekjet e Serbisë për të ndërhyrë në sistemin garues të Kosovës, jo vetëm që janë të papranueshme, por FFK-ja do të kërkojë me forcë nga UEFA, FIFA, Ministria e Sportit dhe Policia që të përdorin autoritetin e tyre, që të parandalojnë këto veprime të Serbisë dhe duke i kërkuar Federatës serbe që të ndalojë këto tentime të ndërhyrjes në sistemin garues të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

KE pati një diskutim të gjerë rreth sistemit të garave për të gjitha rangjet dhe me një pajtueshmëri miratoi sistemin e garave për të gjitha rangjet garuese. Tutje KE shqyrtoi Rregulloren e garave në futbollin e Kosovës dhe pas diskutimeve e miratoi këtë Rregullore. KE emëroi dhe riformatizoi të gjitha Komisionet relevante të FFK-së. /Gazeta Express/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here