Ballina Auto-Tech A është FaceApp një komplot nga rusët, për t’jua vjedhur të dhënat?

A është FaceApp një komplot nga rusët, për t’jua vjedhur të dhënat?


Arwa Mahdawi, kolumniste në The Guardian, ka publikuar një shkrim në lidhje me aplikacionin e fundit që pushtoi botën – FaceApp, për të cilin u tha se është një aplikacion i krijuar nga hakerët rusë për t’jua vjedhur të dhënat, duke shkaktuar panik më pas në mesin e përdoruesve të internetit.

Aplikacioni FaceApp

Sipas saj, pas panikut të shkaktuar nga ky aplikacion i cili u bë viral, morali i krejt kësaj historie është: Mos u brengosni shumë për rusët. Duhet të brengoseni për gjithçka.

Gjatë ditëve të fundit, #faceappchallenge ka pushtuar rrjete sociale. Kjo sfidë e re e internetit, përfshin shkarkimin e një aplikacioni për editimin e selfieve të quajtur FaceApp dhe përdorimin e një prej veglave të tij për ta plakur digjitalisht fytyrën tuaj.

Më pas, këtë foto e publikoni në internet dhe të gjithë qeshin pa pushim. Të hënën, pasi kjo sfidë u bë virale, Joshua Nozzi, një zhvillues softuerik, i paralajmëroi njerëzit: “KENI KUJDES ME FACEAPP… i ngarkon fotot menjëherë pa ju pyetur, qoftë nëse zgjidhni ju apo jo”, transmeton Gazeta Express.

Disa media, e morën dhe e publikuan këtë pretendim dhe menjëherë nisën shqetësimet rreth sigurisë së këtij aplikacioni. Gjendja eskaloi edhe më shumë kur njerëzit filluan të thonë se FaceApp është aplikacion rus.

“Aplikacioni të cilit po ia jepni të dhënat e juaja të fytyrës thotë se vendndodhja e tij është në Shën Petersburg, Rusi”, shkroi Charlie Warzel i New York Times në Twitter.

Dhe të gjithë e dimë se si janë rusët, apo jo? Ata duan t’jua marrin të dhënat për qëllime të ndryshme. Ndryshe prej kompanive amerikane, natyrisht. Të cilat janë gjithmonë shumë të respektueshme kur bie fjala për të dhënat personale – dhe i përdorin ato vetëm për çështjet e juaja private dhe për ta bërë botën një vend më të mirë, më të lidhur mes vete, transmeton Gazeta Express.

Të mërkurën gjërat u qetësuan pak. Një hulumtues francez i sigurisë kibernetike, që përdorë pseudonimin Elliot Alderson, ia bërë një kontroll të sigurisë aplikacionit në fjalë dhe gjeti se FaceApp nuk po i ngarkonte të gjitha fotografitë që ndodheshin në Camera Roll – vetëm ato që zgjidhnin përdoruesit. Që është diçka e pritshme nga një aplikacion si ky.

Duke folur në telefon, Alderson i tha Arwas se nuk gjeti asnjë dëshmi se ky aplikacion po i vidhte të dhënat; ai thjeshtë po merrte ID-në e telefonit tuaj dhe modelin e tij. Që, përsëri, është e pritshme. Arsyeja pse ky aplikacion shkaktoi kaq shumë frikë, Alderson mendon, është për shkak të frikës nga Rusia.

FaceApp u përgjigj ndaj krejt kësaj pune kontroverse, duke thënë për 9to5Mac të mërkurën se “mund t’i ruajë” disa nga fotografitë e ngarkuara në aplikacion për “arsye të performancës dhe trafikut”. Gjithashtu tha se përderisa ekipi kryesor i aplikacionit ndodhet në Rusi, të dhënat e përdoruesve nuk transferohen në Rusi.

Sapo dolën më shumë informacione rreth FaceApp, Nozzi, zhvilluesi i cili nisi krejt alarmin rreth këtij aplikacioni, i fshiu të gjitha postimet në Twitter rreth FaceApp.

Kështu, a do të thotë kjo se nuk duhet të brengosemi për fotografitë tona që ngarkohen aty? A duhet të brengosemi se fotot tona mund të keqpërdoren? Ndoshta jo bash ashtu, por në kushtet e përdorimit të FaceApp (të cilat i pranoni vetë), kur e përdorni aplikacionin, ju i jepni atij të drejtën të bëjë çfarë të dojë me fotografitë tuaja, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse mund të duket e frikshme në shikim të parë, në fakt kjo është e njëjtë me aplikacionet e tjera – të cilat në rregullat e tyre të privatësisë citojnë gjithashtu se mund të përdorin të dhënat tuaja për arsye të ndryshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here