Ballina Kryesore Futbolli i Kosovës në “turbulencat” e pozitës dhe opozitës

Futbolli i Kosovës në “turbulencat” e pozitës dhe opozitës


Dënimi nga Gjykata me 9 muaj burgim efektiv për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, ka filluar të krijojë “turbulenca” të reja në futbollin kosovar. Derisa Agim Ademi nuk e ka ndërmend të dorëhiqet dhe është i vendosur për ta vazhduar punën e kryetarit, një grup opozitar është vënë në lëvizje për ta rrëzuar sa më shpejt atë nga posti i kryetarit. Madje, ky grup është në kërkim të një kandidati të zot për ta përkrahur drejt postit të kryetarit. Në krejt këtë proces nuk mungojnë as ndërhyrjet politike. Ndërsa, kryetari aktual po mundohet ta tregojë forcën e tij, duke e konfirmuar përkrahjen që ka marrë nga shtatë Lidhjet Rajonale të futbollit të Kosovës dhe të grupit të tifozëve kosovarë, po ashtu. Kjo situatë është krijuar në një kohë kur përqendrimi do të duhej të ishte kah proceset e rëndësishme në të cilat ka hyrë futbolli kosovar.

Një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila të premten e dënoi me 9 muaj burgim efektiv presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademin, ka filluar të krijojë “turbulenca” të reja në futbollin kosovar. Dhe, zhvillimet e reja kanë filluar të ndodhin në një kohë kur futbolli i Kosovës ka hyrë në disa procese shumë të rëndësishme, shkruan Gazeta Express.

Në fakt, dënimi i Gjykatës për Agim Ademin ka ardhur në një kohë kur Kombëtarja e Kosovës ka hyrë shumë seriozisht në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020, qoftë përmes kualifikimeve të rregullta apo nëpërmjet Ligës së Kombeve.

Njëherësh, aktgjykimi i Gjykatës ka ardhur në një kohë kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia ka mësy një procesi të reformave të brendshme, pasi qysh javë më parë paralajmëroi reformime dhe ndryshime thuajse në të gjitha Komisionet e saj, të cilat janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me garat kampionale në Kosovë.

Njëherësh, vendimi i gjykatës ndodhi në një kohë kur shtëpia e futbollit po bënte plane për ndryshim të sistemit të garave në Superligën e Kosovës prej edicionit 2020-2021, konform një vendimi të Kuvendit të FFK-së, sipas të cilit parashihet edhe zvogëlimi i numrit të ekipeve elitare, nga 12 sa është tani, në 10 klube.

Po ashtu, vendimi i gjykatës ndodhi edhe në një kohë kur FFK-ja gjendej në mes të disa projekteve të saj me UEFA-n e FIFA-n, e që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillim të infrastrukturës dhe kuadrove profesionale.  Nuk duhet harruar as projektin gjigant të Stadiumit Kombëtar, i planifikuar për t’u ndërtuar në Drenas, e as ai i rinovimit të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Gazeta Express raporton se me t’u shpallur aktgjykimi i Gjykatës, Agim Ademi e bëri të qartë vendimin e tij se nuk planifikon të dorëhiqet nga posti i presidentit të FFK-së, me arsyetimin se beson në pafajësinë e tij, dhe se pret nga Gjykata e Apelit ta rrëzojë gjykimin e Gjykatës Themelore. Menjëherë në përkrahje të këtij qëndrimi të Ademit doli edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Mirëpo, në futbollin kosovar qe një kohë është krijuar një grup “opozitar” i Ademit. Madje, ky grup – vetëm dy ditë para se të dënohej Ademi nga Gjykata – kishte bërë kërkesë zyrtare në Komisionin Disiplinor të FFK-së që të thërras Kuvend Zgjedhor. Bëhet fjalë për shtatë delegatë të Kuvendit të FFK-së, që janë pjesë e grupit të pakënaqurave, që natyrisht numerikisht është më i madh, e madje disa prej tyre janë me mjaft ndikim, ani pse nuk janë pjesë e strukturave të FFK-së.

Sipas këtij grupi, Komisioni Disiplinor do të duhej ta anulonte vendimin e Kuvendit të FFK-së, i cili në verën e vitit 2018 e kishte zgjedhur Ademin kryetar, post ky i lënë bosh nga i ndjeri Fadil Vokrri, i cili ishte zgjedhur kryetar në vitin 2016 dhe kishte mandat deri në vitin 2020. Sipas grupit “opozitar”, Ademit do të duhej t’i skadonte mandati në vitin 2020 sepse ai veç e kishte vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga i ndjeri Vokrri. Por, Ademi vazhdimisht ka insistuar se Kuvendi i ka dhënë mandat të plotë katërvjeçar, deri në vitin 2022.

Në momentin kur Ademi deklaroi se nuk do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të FFK-së, pas dënimit që iu shqiptua nga Gjykata me 9 muaj burgim efektiv, grupi opozitar është vënë në lëvizje.

Gazeta Express ka mësuar se ky grup është i vendosur të mos e lë komod Agim Ademin në këtë situatë dhe se është vënë në lëvizje për ta rrëzuar sa më shpejt nga posti i kryetarit të FFK-së. Nuk dëshiron as ta pres ndonjë vendim të Gjykatës së Apelit, çfarë do qoftë që mund të jetë ai.

Sipas burimeve të Express’it, ky grup opozitar tashmë po negocion me disa personalitete të njohura nga futbolli kosovar për ta përcaktuar më të denjin si kandidat të tyre për kryetar. Ndonëse emrat e kandidatëve mbahen ende të fshehët, shkaku i ndjeshmërisë së situatës së krijuar, bëhet fjalë për persona të zotë dhe të njohur në futboll.

Në krejt këtë situatë, mëson Gazeta Express, ka edhe ndërhyrje politike.

Karshi kësaj situate, Agim Ademi dhe FFK-ja po paraqiten krejtësisht si të qetë. Madje, Ademi e shfrytëzoi 6 korrikun, që ndërlidhet me datën e emërimit të tij si kryetar, për t’i treguar të arriturat e tij në njëvjetorin e parë si kryetar.

Në deklaratën e tij, Ademi qysh në fillim thekson se Kuvendi i FFK-së më 6 korrik 2018 i kishte dhënë mandat katërvjeçar, derisa e përmend edhe përkrahjen e fuqishme të UEFA-s dhe FIFA-s për FFK-në dhe Kosovën, ndërsa i kujton edhe rezultatet fantastike të Kombëtares së Kosovës, e shumëçka tjetër, pa i harruar as lavdet për legjendën e ndjerë, Fadil Vokrri, ndonëse sot djali i tij, Gramoz Vokrri, i përket grupit “opozitar”.

Mirëpo, zëri i grupit “opozitar” nuk është që s’po dëgjohet brenda FFK-së, siç po proklamon kryesia e saj.

Këtij grupi këto ditë i është kundërpërgjigj FFK-ja, e cila e “bombardonte” ueb faqen zyrtare të saj, por edhe faqen zyrtare në “Facebook”, me njoftimet që i ka marrë nga shtatë Lidhjet Rajonale të Kosovës – Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Gjakovës e Prizrenit, se të gjitha ato e përkrahin kryetarin aktual Agim Ademi.

Madje, FFK u krenua edhe me përkrahjen që Ademit ia ofroi Liga e Veteranëve, derisa u kundërpërgjigj edhe me njoftimin se tifozët e Kosovës, “Dardanët”, e përkrahin fuqishëm kryetarin Agim Ademi.

Derisa Agim Ademi beson fuqishëm në pafajësi dhe është i vendosur ta vazhdojë punën në zyrën e tij, grupi “opozitar” po ashtu është i vendosur për ta realizuar rrëzimin sa më të hershëm të tij.

Në aktgjykimin e shpallur të premten, Ademi është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë, ndërsa është shpallur aktgjykim refuzues për ushtrim të ndikimit, për shkak se kjo vepër penale është parashkruar.

Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama është dënuar me një vit burgim për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur më 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore prej 12 korrik deri me 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrim në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që ta ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here