Ballina Kult-Art Hapet ekspozita “Mitrovica Art Colony”

Hapet ekspozita “Mitrovica Art Colony”

Në Galerinë e Arteve në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit është hapur ekspozita e punimeve në pikturë “Mitrovica Art Colony”, ku punimet e tyre artistike i kanë shfaqur piktorë të njohur nga Kosova, Maqedonia dhe viset tjera të Shqipërisë, transmeton Ditori.

Në hapjen e kësaj ekspozite, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, tha se piktorët e shumtë që kanë marrë pjesë në Koloninë e Piktorëve në Mitrovicë, e kanë nderuar Mitrovicën dhe qytetarët e saj, si me pjesëmarrje ashtu edhe me punime të shkëlqyeshme me motive nga qyteti dhe rrethina e tij.

“Ju piktorë të shkëlqyer nga pothuaj të gjitha trojet tona etnike, shpresoj që gjatë qëndrimit tuaj në Mitrovicën e bukur, të jeni frymëzuar nga pejsazhet dhe bukuritë që ofron qyteti ynë për të krijuar vlera të mirëfillta artistike. Ne si institucione lokale jemi duke u munduar që të mbështesim artin në përgjithësi duke organizuar edhe aktivitete të shumta me qëllimin e vetëm promovimin e vlerave artistike të qytetit”, ka thënë nënkryetari Mujka.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, tha se ekspozita tashmë tradicionale, këtë vit është begatuar me punime të bukura dhe me vlera të larta artistike.

Ai falënderoi piktorët të cilët gjatë kësaj kolonie kanë frekuentuar vendet më të bukura të qytetit duke realizuar kështu piktura të shkëlqyeshme.

Në përfundim të kësaj ekspozite, për të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë edhe mirënjohje nga nënkryetari Mujka, drejtori Peci dhe kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Mitrovicës, Shyqyri Çeliku./Ditori/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here