Ballina Kryesore Veseli: Flora Brovina gaboi, besoj pa qëllim – të fokusohemi tek Tribunali...

Veseli: Flora Brovina gaboi, besoj pa qëllim – të fokusohemi tek Tribunali për gjenocidin serb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar sot në konferencë për media se nga dje ka marrë shumë mesazhe, telefonata e shqetësime të shumë familjarëve të të pagjeturve e të viktimave se a do të stopohet iniciativa për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krime serbe në Kosovë.

Ai tha se që nga momenti i bërjes publike të propozimit për këtë iniciativë, ka pasur edhe shumë mbështetës por ka pasur edhe skeptikë, raporton lajmi.net.

 Megjithatë, Kryeparlamentari Veseli tha se nuk ka forcë që mund ta ndalë formimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë.

 “Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë do të themelohet për t’i dënuar krimet ndaj mbi 15 mijë shqiptarëve të vrarë e masakruar, 1.230 fëmijëve të vrarë, Vasfijes dhe mijëra grave të dhunuara, dëbimin e dhunshëm te mbi 1 milion shqiptareve, shkatërrimet e 70 për qind të shtëpive tona dhe pasojat traumatike që edhe dje, edhe sot, dhe gjithë këto ditë i sheh dhe përjeton shoqëria jonë.

 Këto janë faktet dhe arsyet mbi te cilat do te ngritet ky Tribunal”, tha Veseli.

 Ai ka folur edhe për rastin e publikimit të fotos nga deputetja Flora Brovina.

 “Zonja Flora Brovina, ditën e djeshme, ka bërë një gabim të madh, por unë besoj që e ka bërë pa dashje. E them këtë, sepse e njoh Florën, veprimtarinë e saj, humanizmin e saj, ashtu siç e njeh gjithë Kosova. Gjithsesi, është dashur të konsultohet më herët për atë veprim qe e ka ndërmarrë, para se të vinte në seancë. Por, ne duhet të nxjerrim mësime edhe nga ky gabim. Ky gabim pikërisht na dëshmon nevojën që trajtimi i së kaluarës të bëhet në mënyrë profesionale, e jo te ngutur dhe emocionale. Na dëshmon nevojën për institucione të specializuara me ekspertë të mirë kualifikuar, që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze e të verifikuara”, ka thënë Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here