Ballina Kryesore DISA PYETJE (ME PËRGJIGJE) PËR “SHKËMBINXHINJTË” E TERRITOREVE

DISA PYETJE (ME PËRGJIGJE) PËR “SHKËMBINXHINJTË” E TERRITOREVE


Nga profesori universitar portalin tonë⬇️
DISA PYETJE (ME PËRGJIGJE) PËR “SHKËMBINXHINJTË” E TERRITOREVE
✍🏻Milazim Krasniqi
Ata shqiptarë që deklarohen për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës e Serbisë, duhet të dinë të japin përgjigje në disa pyetje të thjeshta:
1. Nëse Serbia merr Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun, po edhe Mitrovicën e Veriut, a heqë dorë nga pretendimet e saj mbi trashëgiminë fetare, historike e kulturore në Graçanicë, në Deçan, në Pejë, Prizren, Gazimestan, apo vazhdon t’i trajtojë si “djep të kulturës serbe?” Unë mendoj se nuk ka shans të heqë dorë prej pretendimit ndaj këtyre qendrave të kulturës mesjetare serbe dhe territorit të tyre. Pra, nëse në veri e përdorë parimin territorial, në brendësi të Kosovës e përdorë parimin historik, religjioz e kulturor. Këtu bile i ka argumentet më të forta se sa në kodrat e Leposaviqit e Zubin Potokut. Pra, shkëmbimi me veriun, nuk e zgjidhë aspak problemin me statusin e Kishës dhe të pronave të saj në brendësi dhe të pretendimeve të shtetit serb mbi këto objekte e territore. Nëse Kisha Ortodokse mbetet pronare e atyre objekteve dhe territoreve, ajo funksionon si shtet në shtet dhe fuqia e saj destabilizuese është e pokontrolluar nga shteti ynë. (U pa kjo gjë në Malin e Zi në vitin 2021.) Prandaj, Kosova duhet të negocojë me Kishën Ortodokse Serbe për një marrëveshje dypalëshe, (Temelji ugovor), ku duhet të rregullohen raportet e shtetit me atë organizatë fetare. Për këtë çështje nuk ka pse negocohet me shtetin e Serbisë, pasi feja dhe shteti formalisht janë të ndarë. Nëse hyhet në negociata me shtetin serb për statusin e fesë ortodokse, ai që hyn del palë e dëmtuar, qysh edhe ka dalë Kosova në negociatat në Vjenë. Përfundimi është se shkëmbimi i territoreve nuk e zgjidhë konfliktin, sepse Kisha Serbe dhe shteti serb pretendimet kryesore i kanë në argumente historike e religjioze për objektet fetare mesjetare. Beteja kryesore e Serbinë në Kosovë është betejë religjioze e kulturore. Kush nuk e kupton është naiv, prandaj nuk duhet të përzihet me ide naive në këtë çështje të ngatërruar e të rrezikshme.
2. Nëse vendoset që Bujanoci t’i bashkohet Kosovës, si do të veprojnë serbët e asaj komune, të cilët përbëjnë 40% të popullsisë? A do ta pranojnë qetësisht atë pazar-shkëmbin, me të cilin ata me një të rënë të lapsit do të shkëputeshin nga shteti i tyre kombtar e do të futeshin një një shtet me shumicë absolute shqiptare? Përgjigjja logjike është e thjeshtë: ata në asnjë rast nuk do të pranonin të shkëputeshin nga Serbia e të bëhehin vullnetarisht shtetas të Kosovës. Prandaj ata do të mund të rebeloheshin. Rebelimi i tyre do të kishte objekt sulmi shqiptarët e asaj komune, të cilët do t’i dëbonin nga ai territor me ndihmën e paramilitarëve serbë dhe vullnetarëve rusë. Do ta sillnin situatën para aktit të kryer, ku ajo që do të shkruhej në letër, do të ishte “mrtvo slovo na papiru” (germë e vdekur në letër.) Kush nuk po e kupton këtë rrezik?
3. Nëse serbët e veriut do të gëzonin privilegjin t’i bashkohen Serbisë, a do të shikonin serbët e Graçanicës, Novo Bërdës, Parteshit e Shtërpcës “mirne dushe” (shpirtqetë) mbetjen e tyre në Kosovë? Unë mendoj se ata natyrshëm do të rebeloheshin, do të mbyllnin rrugët dhe të do të shpallnin me ndonjë asamble popullore të mbledhur ad hoc, bashkimin me Serbinë. Në atë rast policia e Kosovës do të detyrohej të intervenonte, për të zhbllokuar rrugët e për ta imponuar riintegrimin. Por, aty do të mund të gjenin paramilitarë serbë e vullnetarë rusë. Pashmangshëm do të kishte gjakderdhje. Kosova do të kompromentohej si shtet policor. Në fund do të mbeteshin dy rrugë: spastrimi etnik ose krijimi i një korridori që të lidhen edhe ata me veriun. Në atë rast Kosova do të paralizohej tërësisht. “Shkëmbimxhinjtë” nuk e kanë para sysh as këtë rrezik real.
4. Nëse veriu do të bashkohej me Serbinë, a ka rrezik real që asnjë shqiptar të mos mbetet në pjesën veriore, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës? Unë mendoj se ashtu do të ndodhte. Edhe dëshira e ligjshme e shqiptarëve që të kthehen në shtëpitë e veta në veri nga ku janë shpërngulur tash njëzet e dy vite, do të varrosej përgjithmonë. Spastrimi etnik do të legjitimohej, si në rastin e spastrimit etnik të rajoneve të Toplicës e Nishit në shekullin XIX. Për më shumë, e mbetur në periferi dhe nën presion të vazhdueshëm nga Serbia e rifuqizuar nga favoret e reja, Mitrovica e Jugut do të fillonte të zbrazej nga shqiptarët, të cilët do të kërkonin një jetesë më larg presioneve dhe rrezikut. Kush nuk e kupton këtë gjë?
5. Nëse kufijtë e Kosovës do të prishen, a mbetej i njëjtë mandat i rezoluës 1244 dhe i KFOR-it? Unë mendoj se nuk do të mbetej i njëjti mandat, për dy arsye, e para sepse vendi do të kishte konflikt civil, ku KFOR nuk ndërhyn dhe e dyta, do të duhej një mandat i ri për të siguruar kufijtë e ri. Nga sa mund të mirret lehtë me mend, një mandat i ri është e pamundur të mirret, qoftë nga NATO për Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake, qoftë nga KS për rezolutën 1244. Pra, konflikti civil shqiptar-serb do të merrte epilogun ushtarakisht. Kosova me shumë gjasa do ta humbte luftën nga Serbia që tashmë është edhe e riarmatosur. Ndërsa, eksodi i shqiptarëe nga një shtet i rrënuar dhe i dezintegruar, do ta vuloste edhe humbjen tonë demografike. “Shkëmbimzhinjtë” e nxehur në krye nga përralla nacional-romantike nuk e kuptojnë as këtë rrezik. Bile ka edhe të atillë që ia kanë mbushur mendjen vetes se Kosova e ka mundur ushtarakisht Serbinë në vitin 1999.
6. A mendoni se viti 2022 është njësoj i favorshëm për Kosovën si vitet 2000 e 2001? Unë mendoj se në atë kohë Kosova përkrahej e trajtohej si viktimë e brutalitetit serb. Bile mbahej e ndaluar për forcat serbe edhe zona pesë kilometërshme brenda vetë Serbisë. Për më tepër, në atë zonë u lejua edhe UÇPMB që të operonte, si mjet presioni për ta rrëzuar Millosheviqin nga pushteti. Serbisë më nuk i bën askush aso presionesh. Dhe nuk duhet harruar që jo fort larg ng Presheva, në Nish, është e vendosur e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse-Serbe, e cila de fakto është bazë ushtarake ruse.
7. A mendoni se mund t’i besohet qeverisë së Serbisë, edhe nëse zotohet dhe firmos ndonjë gjë,lidhur me shkëmbimin e territoreve? Serbia në dialogun e deritashmëm në Bruksel ka firmos shumë marrëveshje, por asnjërën nuk e zbaton plotësisht. Serbisë nuk mund t’i besohet për asgjë, përderi sa Kosovën e ka në preambulën e Kushtetutës, si pjesë përbërëse të shtetit serb dhe përderi sa ende ka pretendime për shkatërrimin e Kosovës. Vetëm pasi do ta njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe Kosova të anëtarësohej në NATO, do të mund të bëhej demarkimi i kufirit, pa drojë se Serbia guxon ta shfrytëzojë për destabilizimin dhe shkatërimin e shtetit të Kosovës. Bile edhe atëherë, duhet të kohet kujdes i madh, sepse Serbia tenton të minojë çdo marrëveshje, siç po bën edhe me Marrëveshjen e Dejtonit, të cilën edhe pse e ka firmosur, po tenton ta zhbëjë në mënyrë tinëzare, duke e vënë komunitetin ndërkombëtar para aktit të kryer. Taktikat e vënies së kundërshtarit para aktit të kryer, janë taktika të vjetra të politikës serbe, që nga politika shtetërore, veprimet e organizatave terroriste e deri te programet e akademikëve nazistë. (8 shkurt 2022)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here