Ballina Diaspora “Shqiptarët siç i do hasmi”, Rama ua citon Fishtën atyre që u...

“Shqiptarët siç i do hasmi”, Rama ua citon Fishtën atyre që u gëzuan për Thaçin dhe Veselin


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka cituar Gjergj Fishtën derisa ka thënë se propozim-aktakuza për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin nuk duhet ta gëzojë asnjë shqiptar.

“Nuk mendoj se kjo duhet të qetësojë, lehtësojë, apo aq më pak gëzojë qoftë një shqiptar të vetëm. Çdo shqiptari që mendon se është momenti për të nxjerrë inatet e veta, për ta bërë hakmarrjen e vet politike, apo për të lehtësuar shpirtin duke fërkuar duart që Hashim Thaçit apo Kadri Veselit i erdhi dita i them: Mos ma kujto Gjergj Fishtën që kur i thanë ‘Si janë shqiptarët?’ tha ‘Siç i do hasmi’”.

I pari i Shqipërisë ka deklaruar se propozim-aktakuza përbën shkelje të praktikave në drejtësinë ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.

“Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një aktakuzë e cila ndërkohë nuk është formalizuar nga gjykata përbën jo vetëm shkelje flagrante të çdo praktike të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe akt brutal ndaj vetë Kosovës. Për më tepër unë nuk di që në kornizën e miratuar për veprimtarinë e kësaj Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës të përfshihen edhe hetime apo gjykime për sa dhe si X dhe Y mbrojnë interesin kombëtar apo mbrojnë interesin personal”.

“Mos ta harrojmë që Kosova ka kaluar një eksperiment 20 vjeçar të drejtësisë ndërkombëtare të panjohur në historinë e drejtësisë ndërkombëtare me gjykatë për krimet nga UNMIK-u nën mbikëqyrje të OKB-së, gjykatë për krimet nga EULEX-i nën mbikëqyrjen e BE-së, Tribunali i Hagës, panelet hibride edhe kështu edhe ashtu, si dhe gjykatat vendore dhe tani kjo është shkalla e gjashtë”.

“Mos vallë kjo gatishmëri 21 vjeçare për të thënë ‘Po, do ta bëjmë edhe këtë’ është arsye për ta keqtrajtuar Kosovën duke goditur globalisht në çdo kontinent përmes miliona pasqyrave mediatike kreun e shtetit të vet, pa u formuluar akoma një akuzë e pranuar nga gjykata?”.

Shefi i qeverisë shqiptare ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë si avokat i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, njofton Klan Kosova.

“Nuk kemi ardhur as t’iu qëndrojmë pranë moralisht dy njerëzve që janë edhe figura institucionale, por mbi të gjitha kreu i shtetit, por kemi ardhur këtu sepse unë besoj shumë fort që këtu jemi në një moment shumë kritik që mund të ketë konsekuenca të rënda për Kosovën – në rast se në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë dhe padrejtësinë”.

“Reagimi im në Kuvendin e Shqipërisë dhe ardhja ime këtu nuk nënkupton asnjë lloj përpjekje, madje as një lloj mendimi, për të vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e ballafaqimit me drejtësinë për ato çështje që janë subjekt i saj dhe të cilat e kanë marrë mbështetjen politike dhe institucionale të Kosovës përmes parlamentit të saj sovran me krijimin e Gjykatës Speciale. Ardhja ime këtu lidhet me padrejtësinë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here