Ballina Kryesore Meditime Ramazani/DY PËRVOJA TË KUNDËRVENA TË QEVERISJES SË MUSLIMANËVE

Meditime Ramazani/DY PËRVOJA TË KUNDËRVENA TË QEVERISJES SË MUSLIMANËVE


Shkruan:Milazim Krasniqi
Në rastin e gjendjes së sotme të ne muslimanëve, nëse e mësojmë si duhet historinë, e kuptojmë edhe të tashmen. Pse shkëlqyen muslimanët e parë dhe pse u katandisën muslimanët më vonë, duke vazhduar katandisjen edhe në ditët tonë? Historia na ofron shumë të dhëna, nga të cilat mund të nxirret përfundimi i duhur. Pa e evokuar historinë, që është e njohur, përfundimi është ky: mënyra si jetuan pasuesit e të Dërguarit të Zotit, halifët e drejtë, e ka ngritur Islamin, ndërsa mënyra si punuan e jetuan disa nga halifet e mëvonshëm, e ka prodhuar katandisjen. Ja ilustrimi: 1. Ebu Bekri ishte më i pasur kur ishte njeri i zakonshëm, se sa kur u bë halife. Bile, si halife vishte një pelerinë, të cilën e kamconte me dy gjilpëra. Por, si halife Ebu Bekri kishte këtë devizë: “E vërteta është besnikëri dhe gënjeshtra është tradhti.” Thjesht, nuk kishte kompromise me gënjeshtrën. Vetëm ata që e thonin dhe e mbronin të vërtetën, llogariteshin si besnikë. Rezulati i qeverisjes së tij ishte impresiv. 2. Në kohën kur Omeri ishte halife dhe mori Persinë, Egjiptin, Sirinë e hyri çlirimtar në Jerusalem, duke tërhequr deven për kapistalli, e kishte një pelerinë gjithë me arna. Hante bukë, duke e ngjyer me vaj ulliri. Pasuria materiale nuk i kishte hyrë fare në zemër, por kujdesej natë e ditë për mirëqenien e banorëve. Mbante dert edhe për bagëtinë. 3. Osmani ishte në plan të parë i devotshëm. Organizoi mbledhjen dhe strukturimin e Kuranit. Duke qenë halife, një herë e panë duke mbledhë shkarpa e ai u tha se e provoi a do ta refuzonte shpirti i tij thjeshtësinë. Osmani la prapa vetes një bazë për zhvillimin e diturive, të mbështetura në Shpallje. 4. Aliu ishte dijetar dhe guximtar. Ideali ishte më i madh se sa stepja përballë kërcënimit real. Nga dëshira që të shmangte konfliktin, e pësoi, por mbeti një simbol se qysh mund të ecin gjërat për keq, deri te lufta vëllavrasëse e shizma fetare, nëse muslimanët nuk e frenojnë lakminë për pushtet e pasuri, ashti si në fakt bënë rivalët e tij. Thënë shkurt: e vërteta, lojaliteti, modestia, dituria, përkushtimi, devotshëmria dhe lartësimi moral i katër halifevë të drejtë, mundësoi kompaktësimin, zgjerimin territorial dhe shndërrimin e shtetit të vogël në Medinës në një perandori universale.

Po pasardhësit e tyre çfarë bënë, që pasoi katandisja? (Po i përmensdin vetëm disa, pasi ka shumë shembuj dhe zor i merr kalemi.) 1. Muavia u pasurua jashtë mase dhe nga lakmia instaloi sundim të trashëgueshëm. Për lakminë e pushtetit e të pasurisë, u rebelua dhe e futi vendin në luftë civile tragjike. 2. I biri, Jezidi, bëri krimin në Qerbela, pastaj plaçkiti Mekën e Medinën. 3. Jezidi II ishte batakçi, qejfi argëtimesh dekadente. 4. El Mutevekili mbante 4000 konkubina në pallatin e vet. ( Ky person e kam mbajtur në burg Ebu Hanifen, ku edhe ka vdekur dijetari i madh.) Kalifi El Emin legalizoi eunukët për qëllime homoseksuale. Abuzime dhe teprime me sundimin e me pasurinë gjenden edhe në perandoritë e mëvonshme, shtetin Osman, perandorinë mogule e atë safanide. Pra, pas ekspansionit dhe lartësimit të hershëm, katandisja erdhi si pasojë e abuzimit të pushtetit, lakmisë pas pasurisë materiale, luksit enorm, degradimit moral, tradhtisë së brendshme, pranimit jokritik të mësimeve joislame, etj.

Shkurt muhabeti: janë dy përvoja qartësisht të njohura e qartësisht të kundërvëna. E para mundësoi ngritjen, e dyta solli rënien, katandisjen.
Nga do t’ia mbajmë në të ardhmen?
Zgjidhja është e lehtë, për ata që logjikojnë.
5 maj 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here