Ballina Kryesore Në Mitrovicë u shënua 20 vjetori i Eksodit ‘99

Në Mitrovicë u shënua 20 vjetori i Eksodit ‘99

Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur manifestimi i 20 vjetorit të OJQ Eksodi “99 1999-2019 me moton “Përkujtojmë tragjedinë- Festojmë lirinë”, në sheshin e qytetit të Mitrovicës, njofton Ditori.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zv. ministri i MMPH-së, Gjergj Beka, zv. ministri i MZHE-së, Sami Zeka, kryetari i OJQ “Eksodi 99”, Ali Topalli, drejtorë komunal, si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka shprehur mirënjohjen e tij dhe për mikpritjen që ju ka bërë Shqipëria një milion qytetarëve në atë kohë.

“Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar ditët e dhimbjes më të fortë të cilat na shkaktuan plagë dhe lot në sytë e nënave tona, vëllezërve tonë që u detyruan ta lëshojnë vendin atdheun e tyre, shtëpitë dhe pronat e tyre, për të mësyrë gurthemelin, truallin, tokën tonë, nënën Shqipëri. Një Shqipëri e vogël të presë një milion qytetarë për një kohë shumë të shkurtë, ka çuditur dhe tronditur gjithë Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i cili ishte i pranishëm në këtë manifestim, tha se shqiptarët janë njerëz paqedashës dhe se ajo çfarë bëjnë për njëri-tjetrin është një detyrim familjar.

“Ajo që ka ndodhur në këto ditë në Kukës dhe në gjitha qytetet e Shqipërisë është thjeshtë ajo që kemi bërë gjithmonë në si shqiptarë sepse në jemi gjithmonë paqedashës, jemi vëllezër dhe ajo që bëjmë për njëri-tjetrin është thjesht një detyrim familjar shoqëror dhe vëllazëror”, tha kryetari i bashkisë së Kukësit, Shehu.

Qemajl Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, e ka quajtur dështim planin e Millosheviqit për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre.

“Atë që mendoi Millosheviqi që duke përzënë shqiptarët nga trojet e tyre për një vend tjetër rezultoi në një dështim të radhës sepse u mendua që do të kishte përplasje, nuk do të kishte mikpritje, nuk do të kishte bujari por ndodhi komplet e kundërta, vëllezërit nga Kukësi pritën vëllezërit e tyre nga Kosova. Shembulli i Kukësit flet shumë, flet se ne nuk ndahemi nga njëri-tjetri, flet se ne e duam njëri-tjetrin dhe se ne do e përkrahim njëri-tjetrin. Kosova fitoi luftën por Kosova duhet ta fitojë edhe paqen”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Kurse Ali Topalli, kryetar i OJQ “Eksodi 99” ka folur për ato që pjesëtarët e këtij eksodi kanë përjetuar gjatë rrugës së tyre të mundimshme nga Mitrovica në Kukës.

“Eksoduesit duarthatë gjatë këtij rrugëtimi prej më se 200 kilometra nga Mitrovica në kufirin shqiptaro – shqiptar përjetuan tronditje të mëdha rrahje, plaçkitje, maltretime, vrasje e mos të flasim për dhunimet që kanë ndodhur gjatë këtij rrugëtimi”, tha Topalli.

Në fund të këtij manifestimi kryetari Bahtiri për kontributin e dhënë gjatë luftës ndau mirënjohje për Don Lush Gjergjin dhe kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu./Ditori/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here