A është kjo Vetëvendosja që do t’i ngelet Albin Kurtit pas ndarjes?

0
27

Se Vetëvendosje është duke shkuar drejt ndarjes tashmë këtë nuk e vë në dyshim askush.

Ajo për të cilën mund të thuhet se është ende e paqartë tërësisht, është pozicionimi i të parit të Prishtinës Shpend Ahmeti, transmeton Klan Kosova.

Shpend Ahmeti sot ishte i pranishëm gjatë ditës kur u bënë homazhe në shesh për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, të vrarë më 10 shkurt 2007 nga policë të UNIMIK’ut. Por, ai nuk mori pjesë në Tribunën e organizuar nga partia të cilës zyrtarisht ende i takon.

Në këtë tribunë, me temë: Pavarësia nga Pakoja e Ahtisaarit – kufizimet dhe pasojat, në të cilën mungonin dy kryetarë të komunave nga VV, Shpend Ahmeti e Qëndron Kastrati, dhe merrte pjesë Mytaher Haskuka i Prizrenit dhe Agim Bahtiri i Mitrovicës, transmeton Klan Kosova.

Aty nuk u panë as deputetët e VV’së që tashmë janë deklaruar hapur kundër praktikës së udhëheqjes së partisë nga Albin Kurti.

Lideri i rikthyer në krye të VV’së, Albin Kurti, partia e të cilit në zgjedhjet e fundit parlamentare doli më e votuara, nga kjo tribunë shihet se tani rrethohet nga figura politike, kryesisht nga ‘garda e vjetër’ e Lëvizjës, si Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Glauk Konjufca, Hysen Durmishi dhe Salih Zyba, në njërën anë, dhe në anën tjetër figurat që kanë aderuar në këtë parti, kryesisht nga PDK, ish LPK’istët, Hydajet Hyseni, Sami Kurteshi, Shemsi Syla dhe të tjerë.

Por, Kurtit tani i mungojnë në parti figurat kyçe me të cilët Lëvizja përfaqësohej viteve të fundit, dhe rriste votën vazhdimisht, si Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli, Qëndron Kastrati, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili, dhe figura të tjera, që shiheshin si pasqyra përfaqësuese e këtij subjekti politik.

Ky grup, pritet që shumë shpejt të formojë një grup parlamentar të ndarë nga Vetëvendosje, me më së paku dhjetë deputetë, e më pas edhe një subjekt të ri politik, socialdemokrat.

Vetëvendosje, me këtë rast nga parti e parë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të dalë tek e treta, pas LDK’së dhe PDK’së.

Gjithashtu, partia e Kurtit, nga tri komuna që i kishte fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, do të humb qeverisjen në kryeqytet dhe në Kamenicë, për t’u mjaftuar vetëm me Prizrenin e Mytaher Haskukës, shkruan gazetametro, transmeton Klan Kosova.