Suspendohet polici që sulmoi Agron Mustafën

0
30
Avni Berisha, polici që rrahu të shtunën Drejtorin e Valës, është suspenduar me vendim të Inspektoratit Policor.

Por, asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj Drejtorit të Antikrimit, Nazim Sahiti, i cili në momentin e përleshjes s’kishte vepruar për të mos lejuar përleshjen.

Po ashtu, asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj një polici me rroba zyrtare, i cili gjatë gjithë kohës kishte shikuar ngjarjen, por nuk kishte reaguar për të ndaluar përleshjen. Prokuroria e ka cilësuar këtë vepër penale si “Lëndim i lehtë trupor”.

Pas incidentit të djeshëm ndërmjet drejtorit të Valës, Agron Mustafës dhe dy zyrtarëve policor, Inspektorati i PK-së ka njoftuar se është marrë masa e suspendimit ndaj policit Avni Berisha si i dyshuar për rrahje ndaj Mustafës.

Sulmuesit e Agron Mustafës janë identifikuar të jenë dy policët, Nazim Sahiti dhe Avni Berisha, të cilët nga pamjet e siguruara nga Insajderi shihen teksa sulmojnë drejtorin e VALA-s.

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e IPK-së kanë vazhduar gjatë ditës së sotme me ndërmarrjen e veprimeve hetimore drejt ndriçimit të rastit – incidentit të djeshëm që kishte ndodhur në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

“Bazuar në këto veprime hetimore që janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin kompetent, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor A.B si i dyshuar në incidentin e djeshëm. Policia e Kosovës bazuar në rekomandimin e dhënë nga IPK-ja ka miratuar rekomandimin e IPK-së duke suspenduar zyrtarin në fjalë. Pas veprimeve hetimore që janë ndërmarrë dje por edhe sot gjatë ditës nga hetuesit e IPK-së dhe prokurori kompetent, qytetari i përfshirë në këtë incident (drejtori i PTK-së z. Agron Mustafa) cilësohet si viktimë në këtë rast”, thuhet në njoftim.

“Hetusit e IPK-së do të vazhdojnë me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në koordinim edhe me prokurorin (duke përfshirë ekzaminimin e disa video-incizimeve, intervistimin e dëshmitarëve etj) deri në ndriçimin e plotë të rastit”, përfundon komunikata.

Agron Mustafa u sulmua dje gjatë mesditës, kurse vet ai kishte thënë mbrëmë se nuk i di arsyet pse ka ndodhur një gjë e tillë. /Lajmi.net/

Action Coin