760 milionë euro për paga dhe ndihma sociale

0
30

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti hiç më pak se 760 milionë euro para të buxhetit të shtetit janë shpenzuar për paga, subvencione dhe transferime sociale, derisa gjatë kësaj periudhe kohore për investime kapitale në gjithë Kosovën janë shpenzuar 280 milionë euro.

Shuma të mëdha parash të buxhetit të shtetit edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për subvencione, transferime sociale, por edhe për paga të punëtorëve të institucioneve të shtetit derisa në anën tjetër shuma e mjeteve që shpenzohen për investime kapitale është e barabartë me shumën e mjeteve që shpenzohen për transferime sociale.

Në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave (MF) shihet se gjatë kësaj periudhe kohore për paga janë shpenzuar 410 milionë euro derisa për transferime dhe subvencione sociale janë shpenzuar 349 milionë euro e derisa për investime kapitale në gjithë Kosovën gjatë kësaj periudhe kohore janë shpenzuar 279 milionë euro.

Në raportin e Ministrisë së Financave shihet se gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti për pensione janë shpenzuar 178 milionë euro, ku nga kjo shumë për pensione bazë janë shpenzuar 84.28 milionë euro, për pensione bazë të kontributdhënësve 67.40 milionë euro, për pensione të personave me nevoja të veçanta janë shpenzuar 16.39 milionë euro, për pensione të të verbërve janë shpenzuar për nëntë muaj 4.11 milionë euro, për pensione të përkohshme të ish-minatorëve të “Trepçës” janë shpenzuar 3.17 milionë euro, për pensione të FSK-së janë shpenzuar 890 mijë euro, si dhe për pensione të TMK-së janë shpenzuar 1.98 milion euro. /Zëri/

Action Coin