Biblioteka e shkollës “Eqrem Çabej” në Mitrovicë “ngelet në klasë”

0
60

Autor: Urall Boshnjaku

Nga titujt e vjetëruar që posedon, biblioteka e SHFMU “Eqrem Çabej” vetvetiu tregon se për te nuk interesohet askush.
Ajo rrezikon të “ngelet në klasë” si rrjedhojë se burimet e informimit brenda saj nuk janë pasuruar thuajse asnjëherë që nga koha kur është ndërtuar objekti i shkollës.
“Biblioteka u themelua në vitin 1978 me bashkimin e dy shkollave në një vend, kur u ndërtua objekti shkollor, ndërsa Drejtoria e Arsimit ka investuar pak në te vetëm një here pas luftës.”, rrëfen Fatime Sadriu, bibliotekistja e shkollës.

Me të hapur derën e hyrjes, aty mund të shihet vetëm një paketim librash të rinj, menjëherë në anën e djathtë të derës, e edhe ata janë libra obligativ mësimorë të dhuruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të cilët kësaj radhe kanë tepruar, e ruhen për gjeneratën tjetër .
Librat e tjerë të vjetëruar të bibliotekës ndodhen mbi raftet demode nga druri të montuara përreth dhomës ne formë drejtëkëndëshi qysh prej 39 vitesh.

E, a flet biblioteka?

Sanije Raifi, pedagoge, dikur drejtoreshë në shkollën “Eqrem Çabej” thotë se pasurimi i biliotekave shkollore me tituj të rinj do duhej të bëhej ligj në nivel komunal, pse jo edhe shtetëror.
“Fëmijët nuk kanë fjalor shumë të pasur dhe mendoj që kjo rrjedh nga mungesa e leximit dhe pajisjes me libra”, shprehet ajo.
Biblioteka duket se flet me gjuhën e fjalorin e mangët të nxënësve, të cilëve pedagogja u referohet si fëmijët e saj.
Raifi thotë se gjatë kohës kur ka shërbyer si drejtoreshë e shkollës, janë bërë donacion rreth 100 libra të gjuhës angleze ndër të cilët edhe romane nga “MerciKos”, një nga organizatat e huaja
.
“Kemi edhe 200 libra në serbo-kroatisht, disa enciklopedi, literaturë pedagogjike, dhe gjithë këto e plotësojnë numrin prej 4000 titujve të vjetëruar të bibliotekës”, thotë Fatime Sadriu, e cila pohon se është afër pensionimit dhe ndjehet keq se po e le bibliotekën në këtë gjendje.
“Mbi të gjitha nuk kemi buxhet as për disa kartonë”, rrëfen ajo.
Edhe drejtoresha e shkollës Remzije Alidemaj pohon se titujt janë shumë të vjetër dhe ato nuk lexohen më, ajo pret nga institucionet të jenë më të kujdesshme dhe të investojnë në renovimin e titujve që posedon shkolla.