Selimi thotë se me fuqinë që ka Lista Serbe, zor se mund të formohet shpejt Ushtria

0
34
Prej kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha fillimisht se Kosova duhet ta formojë Ushtrinë e saj, kjo u bë një ndër temat më të diskutuara në vend dhe jo vetëm.

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe vendeve mike të Kosovës deklaruan se mbështesin formimin e Ushtrinë vetëm me ndryshime kushtetuese, mirëpo gjërat kanë mbetur ende në pikën zero.

A do të ketë zvarritje të procesit për transformimin e FSK-së në FAK, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi thotë për lajmi.net se kjo mund të ndodh.

“Përderisa e ka këtë rol determinues Lista Serbe në Qeverinë e Kosovës dhe në Parlamentin e Kosovës, formimi i Ushtrisë me ndryshime kushtetuese po thuajse është i paarritshëm”, u shpreh ai.

Sipas deputetit, “qeveria dhe mazhoranca e sotme i ka dhënë rol determinues Listës Serbe ku e ka peshuar më shumë pushtetin sesa ushtrinë, prandaj thotë, se “nuk mund të presim themelimin e ushtrisë nga kjo qeveri edhe për faktin të ndikimit të qeverisë serbe që ka në grupacionin politik Lista Serbe”.

Selimi thotë, se qeveria duhet ta nxjerr nga pozita përcaktuese Listën Serb,e më pas të fillojë punën për ndryshime kushtetuese.

“Krejt çka duhet të bëjë qeveria, do të duhej që fillimisht ta nxjerr nga pozicioni përcaktues Listën Serbe dhe pastaj të fillonte me ndryshimet qoftë ligjore, qoftë kushtetuese drejtë themelimit të Ushtrisë së Kosovës, me këtë rast Forcat e Armatosura të Kosovës”, deklaroi ai.

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe duke paraprakisht te bisedojnë për ushtrinë dhe ta gjejnë një zgjidhje, ndërsa Selimi thotë, se Lista Serbe po imponon presione.

“Ashtu siç është Lista Serbe e imponuar në institucionet e Kosovës nga presione qoftë nga Serbia qoftë nga jashtë, po ashtu Lista Serbe po imponon presione të tilla edhe për bisedime. Rezultati i këtyre bisedimeve është i kuptueshëm përderisa Lista Serbe mbanë këtë pozicion i cili është në unison me pozicionin  e Qeverisë së Serbisë karshi Kosovës, karshi pavarësisë së Kosovës, karshi edhe ushtrisë së Kosovës. Kështu që, në tavolinë me Listën Serbe nuk kryhet kjo temë”, thotë Selimi.

Qëndrimi i opozitës do të mbetet i njëjtë, tha Selimi dhe do të përkrahin cilëndo iniciativë që rrit kapacitetet ushtarake.

“Qëndrimi i opozitës është i njëjtë ashtu siç ka qenë në legjislaturat e kaluara. Ne do të përkrahim cilëndo iniciativë e cila rrit kapacitetet ushtarake mbrojtëse të Republikës se Kosovës, e kemi bërë këtë në të kaluarën do ta bëjmë edhe në të ardhmen, por kjo nuk nënkupton se ne do të bëjmë kompromis në dëm të Ushtrisë,të sovranitetit,  të republikës dhe në dëm të Kosovës në përgjithësi. Andaj ne do t’i mbështesim avancimet, por jo kompromiset me Serbinë ne dëm të sovranitetit”, potencoi deputetit i opozitës./Lajmi.net/