Ja kush do t’i fitojë zgjedhjet komunale në Mitrovicë!!!

0
3100

Autor: Haris Ademi

 

Me siguri se pasi që e keni lexuar titullin, secili prej jush jeni bërë gati t’a lexoni ndonjë parashikim “alla Nostradamus” se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Mitrovicës. Në periudha të fushatave zgjedhore hasim shumë lajme me tituj të këtij lloji dhe, fatkeqësisht, janë më të lexuarit. Kjo është pasojë e mungesës së edukimit medial në shoqërinë tonë dhe, rrjedhimisht, përtacisë për t’i analizuar e për t’i krahasuar premtimet që ofrohen nga kandidatët. E nëse ende po vazhdoni të shpresoni se në këtë tekst do ta gjeni një emër të ndonjë kandidati potencial për kryetar, po gaboheni!

Qytetarët mitrovicas më shumë se asnjëherë më parë duhet të mendojnë mirë se kujt do t’ia besojnë udhëheqjen për katër vitet e ardhshme. Vota është mbi të gjitha vullnet politik. Ky vullnet politik krijohet vetëm kur mendojmë në mënyrë kritike dhe mbi parime të qarta. Ndërsa parimet kryesore për votuesin nga Mitrovica duhet të jenë nevojat dhe problemet kryesore të cilat i hasë ne baza ditore në këtë qytet.

  1. Votuesi mitrovicas duhet ta ketë parasysh se është pjesë aktive e shoqërisë i cili frymon, ushtron aktivitetin e tij, shpenzon dhe shfrytëzon mundësitë që i ofrohen. Duke qenë i tillë, ai automatikisht është bashkëpunëtor në zhvillimin apo degradimin e mjedisit ku jeton. Do të thotë që, para se të kërkosh një udhëheqës të përsosur, bëhu një qytetar i ndershëm.
  2. Votoni për kandidatin i cili e njeh mirë qytetin dhe i di problemet e tij. Shikoni nëse ai/ajo ka paraqitur ndonjë projekt konkret dhe transparent për lagjen, fshatin tuaj apo institucionin ku punoni ose shkolloheni. Premtimet e përgjithësuara janë thjesht retorika boshe politike.
  3. Ekonomia është pika më e dobët e qytetit të Mitrovicës. Analizoni premtimet që kandidatët i kanë bërë në lidhje me zhvillimin ekonomik, sa janë të arritshme dhe sa janë gjithëpërfshirëse.
  4. Mendoni shumë për fëmijët tuaj! Arsimi i zhvilluar do të thotë ardhmëri e sigurtë për të gjithë. Mbështetni kandidatët që kanë ide konstruktive mbi atë se çfarë iu nevojitet shkollave tona. Ata të cilët do t’i largojnë drejtorët shërbyes partiakë e mësimdhënësit militantë, që do të investojnë në sigurinë dhe pastërtinë në shkolla, që do të krijojnë hapësirë për aktivitete jashtëkurrikulare.
  5. Voto kandidatin që mendon për shëndetin tuaj! Atë që punon për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Kur të shkoni në kontrollë të gjeni shërim, jo të gjeni edhe shumë sëmundje të tjera si pasojë e papastërtisë.
  6. Mitrovica njihet si kryeqytet i sportit, vendlindje e shumë artistëve dhe vend me kapacitete të mëdha të të rinjëve aktivë. Shikoni se çfarë planesh kanë kandidatët për këto tri sektore. Si do të ndihmonen klubet sportive të qytetit? Sa organizime kulturore parashihen brenda mandatit dhe në çfarë profili kategorizohen? Sa është buxheti për sektorin e rinisë, organizatat joqeveritare dhe për klubet rinore?
  7. Për të gjitha projektet shikoni buxhetin e nevojshëm për implementim dhe si mendohet të arrihet deri te fitimi i atyre fondeve.
  8. Votoni kandidatin që i nënshtrohet vlerave morale të shoqërisë sonë!
  9. Vlerësoni edhe aparencën e kandidatëve! Debatet e shumëta televizive mund t’ju kenë ndihmuar të krijoni përshtypjen tuaj se kush do t’a përfaqësonte më denjësisht qytetin para të tjerëve.
  10. Mos votoni pa u menduar! Zgjedhja juaj le ta bëjë zgjidhjen për ju!