Kush kë po e “kopjon” në Mitrovicë? (VIDEO)

0
2423

Po të mos u dallonin ngjyrat partiake – PDK të kaltër e Vetëvendosje të kuqe – njerëzit do të rrezikonin t’i ngatërronin posterët e këtyre dy partive politike të vendosura në sheshin kryesor të qytetit të Mitrovicës.

Kjo për arsye se për nga dizajni, posterët janë gati identikë të punuar, përveç emrave e fotove që normalisht ndryshojnë, por që po të shikohen nga largësia është vështirë të dallohet kush është kush, njofton Klan Kosova.

“Forca e Ndryshimit” e PDK-së dhe Valdete Idrizit si kandidate për kryetare sigurisht është program krejt tjetër politik nga programi i Fehmi Feratit e Vetëvendosjes i cili është “Me mendje e me Zemër”, por, ndryshe nga programi, të njëjtë duket se e kanë pasur disenjatorin e posterëve.

Mbase do të mund të flitej edhe për kopjim të një partie tjetrën, por me që nuk e dimë kush i ka bërë posterët i pari, vështirë ta dimë nëse dikush e kopjoi dikë, apo është thjeshtë rastësi – interesante megjithatë.

Për më tepër, përveç njëjtësisë së posterëve, i njëjtë është edhe vendi ku janë vendosur, pozicioni e lartësia, veçse ndryshon krahu.

Ata qëndrojnë ballë për ballë me njëri tjetrin në sheshin “Mehë Uka”.