Policia vazhdon angazhimet shtesë për siguri në trafik, për 24 shqipton 2,218 gjoba

0
44

Siç është njoftuar edhe më herët Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje.

Policia e Kosovës, referuar situatës së krijuar dhe humbjes së jetëve të njerëzve në trafik siç është bërë e ditur ka marrë masa shtesë me krijimin e TASK FORCE-s, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, thuhet në kumtesën e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Sipas policisë aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik ku gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2,218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale.

“TASK-FORCE policore do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave të saja, e që janë përmirësimi i sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve”, thuhet në kumtesë.

Policia e Kosovës, sikurse edhe më parë vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht  te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik./Telegrafi/