Kosovarët mund të mbesin pa rrymë, KEK në prag të kolapsit

0
90

Kosova është në prag të një kolapsi energjetik me Korporatën e saj Energjetike e cila ka vetëm edhe dy javë rezerva të qymyrit për të prodhuar energji elektrike.

KEK nuk mund të marrë qymyr edhe pse ekzistojnë sasi të mëdha të rezervave në vend.

Kjo po ndodh pasi Qeveria e Kosovës nuk mori vendim për të shpronësuar pronën private nga ku duhet të nxirret linjiti.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka thënë në Kosova Direkt të Orës së Fundit, se është koha e fundit që institucionet duhet të veprojnë, përndryshe vendi do të shkojë në kolaps energjetik.

KEK-ut duhet të marrë në shfrytëzim 52 hektarë të pronës private në mënyrë që të nxjerrë qymyrin e pashfrytëzuar, por banorët lokal duan më shumë para për rivendosjen e tyre dhe Qeveria e Kosovës nuk e ka adresuar me sukses këtë problem, edhe pse ky proces kishte nisur në vitin 2013.

“KEK që një vit ka paralajmërua për një mundësi të tillë”, ka thënë Gjukaj.

“Ne jemi në fund të rezervave që mund t’i shfrytëzojmë – që 12 muaj kemi lënë kohë për arritjen e një marrëveshje bazuar në kornizat e zhvendosjes, kjo nuk ka ndodh”.

“Ne do të punojmë me kapacitet të plot vetëm edhe dy javë”.

“Momentalisht jemi në ditët më kritike, në fillim të muajit gusht ne do të dalim me një deklaratë për atë që mund t’i pret qytetarët në ditët e ardhshme”.

Gjukaj tutje ka thënë se Kosova në javët e ardhshme do të përballet me mungesë të konsiderueshme të energjisë elektrike.