OJQ “RINAS” ndihmon 87 familje me pako ushqimore

0
738

Organizata joqeveritare “Rinia e Aspiratave – RINAS” për të katërtin vit radhazi po ndihmon familjet e jetimëve dhe skamnorëve në kuadër të aktivitetit “Dhuro sot, që të kesh nesër!”. Këtë vit u dhuruan 87 pako me produkte ushqimore.

Kryetari i kësaj organizate, Samir Shabani, ka thënë se ky aktivitet është tashmë tradicional për “RINAS”-in dhe se qytetarët e Mitrovicës e kanë fituar besimin tek ta.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është të ndihmohen jetimët dhe skamnorët. Qytetarët e Mitrovicës as kësaj radhe nuk ngurruan për të kontribuar dhe për tri ditë sa ka zgjatur aktiviteti, janë mbledhur 3,044.36 euro ku kemi shpërndarë 87 pako ushqimore”, është shprehur Shabani.

Shabani poashtu shprehu falënderim për mërgimtarët të cilët tha se ishin ata që e mbështën më së shumti aktivitetin e tyre.

Aktiviteti “Dhuro sot, që të kesh nesër!” është mbajtur më datat 22,23 dhe 24 qershor dhe kanë marrë pjesë rreth 30 të rinjë.

OJQ “RINAS” është organizatë rinore që merret me aktivitete rinore me karakter edukativo-kulturor.