Tridhjetë vite në “shërbim të xhenazeve”

0
1125
Autor: Haris Ademi

Mulla Xhemajl Cerani ka larë më shumë se 4000 xhenaze që prej moshës 17 vjeçare, kur edhe e kishte filluar këtë punë. Duke e kryer “shërbimin e xhenazes” qe tridhjetë vite, ai thotë se tanimë e ka fituar besimin e muslimanëve të Mitrovicës që ta thirrin atë për t’i larë trupat e të vdekurve para se t’i varrosin.

“Ka shumë raste që njerëzit e lajnë amanet që kur të vdesin me i pastru unë, se e dijnë që jam i njohur sepse e kryej këtë punë siç duhet”, shprehet Mulla Xhema.

Edhe pse i ndodh që të vdekurit të jenë me plagë të hapura, të vrarë, me eshtra të llomitura, ai nuk frikësohet që t’i pastrojë ata.

“Në fillim si i ri më vinte njëfarë trishtimi, por gradualisht jam mësu. Bindja ndaj Zotit më bën t’i përballojë ato”, thoshte ai.

Ai ka pasur përvoja shumë interesante në këtë aspekt, mirëpo etika fetare nuk ia lejon atij që të tregojë specifikisht për ndonjë rast. Sipas etikës, ndalohet që të flitet konkretisht për kufomën e dikujt.

Larja e xhenazes, trupit të njeriut të vdekur, sipas fesë islame, është një prej katër obligimeve që duhet të bëhen ndaj një të vdekuri, që janë mbështjellja me qefin, falja e namazit të xhenazes dhe futja në varr. Kjo bëhet për shkak që i vdekuri mund të ketë qenë i papastër në momentin kur ka ndërruar jetë, dhe që të dalë i pastër para Zotit në botën tjetër.

 

Lani së paku tri xhenaze në jetën tuaj

 

            Nuk kërkohet që vetëm hoxha ta kryejë “shërbimin e xhenazes”. Atë mund ta bëjë kushdo që dëshiron. Madje Mulla Xhema tha se secili musliman është mirë që në jetën e tij së paku t’i lajë tri xhenaze. Kjo ia forcon njeriut besimin në Zotin dhe në jetën e përtejme.

Xhenazen e ka obligim familjari i tij me pastru”, shpjegonte ai. “Djali e lanë babën e tij, apo vajza nanën e saj, apo kushdo qoftë. Por për shkak të rrethanave, janë të mërzitur, nuk kanë forcë, atëherë e marrin një njeri që i përballon këto gjëra. E hoxha është adekuat për këto punë.”

Për një muaj Mulla Xhemës i bie t’i lajë së paku dhjetë xhenaze, Atij i duhet një asistent që t’ia mbajë dushin e ujit. Për këtë punë e merr ose ndonjë familjar të të ndjerit ose ndonjë hoxhë koleg.

“Për temperaturën e ujit është mirë të pyetet njeriu më i afërt i të vdekurit, qoftë bashkëshortja, fëmijët ose ndonjë vëlla. E pyesim se çfarë uji e ka preferu për m’u la sa ka qenë gjallë, dhe mundohemi ta përshtatim temperaturën sipas dëshirës që e ka pasur. Pastaj bëhet pastrimi sipas procedurës fetare”, thoshte ai.

Por, nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë. Kur njeriu vdes, kufoma e tij ngrihet brenda disa minutash dhe nuk mund të drejtohet. Sipas Mulla Xhemës, nëse dikujt i mbesin gjymtyrët të hapura, ose trupi i kërrusur, paraqet problem gjatë pastrimit të tij.

“Ka raste kur të moshuarit që ecin me shpinë kërrusur mbesin ashtu dhe është problem edhe me i la, edhe me i fut në dhe”, tregonte ai.

Andaj është e preferuar që kufoma e të vdekurit të shtrihet drejtë në një dërrasë, t’i mbyllet goja, dhe t’i lidhen gishtat e këmbëve.

 

Nostalgjia për xhaminë e Ibrit

 

Krahas shërbimit të xhenazeve, Xhemajl Ceraja qe pesë vite shërben edhe si muezin në xhaminë Isa Beg në qendër të Mitrovicës. Ai thërret ezanin pesë herë në ditë për t’i thirrur besimtarët të falin namazin. Këtë punë e kishte bërë edhe para lufte në xhaminë e Ibrit, e cila ishte rrënuar në luftën e viteve ’98-’99.

“Pasi i kam kryer dy vite në medresenë e Prishtinës, kam punu si muezin në xhaminë e Ibrit për 12 vite rresht. Kujtimet më të mira i kam në atë xhami”, thoshte ai, teksa shikonte lart kupolat e xhamisë më të madhe në Ballkan. “Mirëpo edhe kjo xhami është e mirë dhe i plotëson të gjitha kushtet.”

Ai tha se autoritetet qeveritare kishin premtuar se xhamia e Ibrit do të rindërtohet pasi të përfundojnë rregullimet e urës që ndan Mitrovicën në dy pjesë. Në Mitrovicë, ai vend konsiderohet prej më të rëndësishmëve në trashëgiminë kulturore.

Ndërsa nuk e fsheh dëshirën për të shërbyer prap në atë xhami nëse ajo do të ndërtohet ndonjëherë, sepse ka shumë kujtime. Namazin e parë e kishte falur aty, i kishte mësuar lutjet e para dhe kishte lexuar më së pari herë në arabisht.

“Vallahin me tregu drejtë, kisha pas dëshirë me u kthy në atë vend. Kam shërbyer shumë në atë vend. Dëshira ime është që ajo të marohet sa më shpejtë”, u shpreh ai dhe sytë e tij u mbushën me lotë. “Aty i kam mësu edhe fëmijët për fenë. Hoxhallarët më të famshëm të Mitrovicës, si Enis Rama, Eroll Nesimi e Agron Terziqi, tek unë i p atën mësu shkronjat arabe për me lexu librin e Kur’anit”.

Megjithatë, punën e muezinit dhe të “shërbimit të xhenazeve” nuk e ka ndërmend ta ndalojë. Ai thotë se do të vazhdojë të lajë xhenaze deri sa të dalë në penzion.