Tërë Kosova në Trepçë

0
535

Greva e minatorëve të Trepçës më 20 shkurt të 1989-ës për Musa Beranin nga Mitrovica veç faktit se ishte njëri nga hapat kryesorë për shënimin e shtetësisë së Kosovës, shënon edhe diçka tjetër. Ai e sheh atë si ngjarje që bashkoi shqiptarët anë e kënd Kosovës dhe më gjerë.

Greva e minatorëve të Trepçës më 20 shkurt të 1989-ës për Musa Beranin nga Mitrovica veç faktit se ishte njëri nga hapat kryesorë për shënimin e shtetësisë së Kosovës, shënon edhe diçka tjetër. Ai e sheh atë si ngjarje që bashkoi shqiptarët anë e kënd Kosovës dhe më gjerë.

“Njerëzit kanë dërguar lira, i kanë heq unazat nga gishti, vothët nga veshët e paratë nga xhepat dhe gjithçka që kishin. Duke nisë nga Dukagjini, Shala e Drenica, e tërë Kosova atë ditë ndodhej moralisht në Trepçë.”, rrëfen Berani.

Përgjatë kohës sa minatorët ndodheshin në grevë urie kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga Republika Socialiste e Serbisë, as Musa Berani thotë se nuk qëndroi kot.             “Duke i përcjellur në televizor ngjarjet që përjetonin grevistët 1000 metra nën tokë nëpër zgafella, babai mu drejtua: “Bir, xhinja atje tu hjek e tu vujt, e ti gjon (lopët) i ki n’ahër (hangar), pse s’e kap e me qu njo me ju nimu?”, dhe kjo gjë më preku në ndjenjat fillimisht njerëzore, pastaj kombëtare e fetare, dhe ndërgjegjja nuk më la pa e dërgu të paktën nje lopë atje. Të njejtin akt e kishte bërë edhe prindi im gjatë viteve 1933 dhe 1937.”, shprehet Berani, 65 vjeçari nga Mitrovica.

 

Këtu gjatë viteve te 90-ta ndodhej hangari i familjes Berani nga Mitrovica, i cili asokohe shërbente si burim i ekonomisë familjare për ta. Sot ai hangar nuk ndodhet më në oborrin e tyre.

 

 “Lopa që e njohu bota”

Musau tregon se asokohe ai së bashku me katër vëllezërit e tij posedonin tërësisht pesë lopë të cilat i mbanin në hangar, në oborrin e shtëpisë. Ato ishin burimi i vetëm ekonomik familjar që ata kishin.                 

“Atë ditë, më 20 shkurt, kur e kam dhuruar lopën, familja ime dhe unë merreshim me blegtori, e më pak me bujqësi. Atëherë ne kishim pesë lopë, secili vëlla e posedonte nga një lopë për vete. Në popull pati bërë bujë që kinse e kisha dërguar lopën e vetme që kishim. Ishte e vërtetë që kisha dërguar lopën e vetme, por kjo ishte lopa e vetme që kisha vetëm unë, dhe jo edhe familja ime.” tregon Berani. Greva e minatorëve kishte filluar më 20 shkurt dhe kishte zgjatur tetë ditë, por përkrahja nuk kishte munguar për asnjë ditë të vetme, pjesë e së cilës siç pohon ai ishte edhe vetë. Ai tregon se si e kaloi rrugën e tërë nga Mitrovica e deri në Stan Tërg në këmbë e me lopë në dorë për afro 3-4 orë, përgjatë 5 kilometrave që udhëtoi atë ditë.

            “Deri te Ura e Sitnicës me ka ndihmuar djali i vëllaut, kur e pashë se ishte lodhur i thashë të kthehet. Prej aty e deri në minierë me lopë në dorë kam udhëtu vetë në këmbë”, rrëfen ai. Pasi kishte arritur në minierë, ai thotë se atë e kishin futur në një dhomë që ndodhej poshtë në zgafellë. Në atë dhomë ai pohon të ketë parë para të llojeve të ndryshme dhe gjësende nga më të vlefshmet.

            “Kur mbërrita aty, minatorët më morrën poshtë dhe më futën në një dhomë. Në atë dhomë mund të shihje plot para, disa nëpër arka, disa mbi tavolinë e të tjerat nëpër tokë. Para nga më të ndryshmet, fillo nga marka e pastaj dollarë, franga e plot të tjera.” shton Berani. E lopa që ai e dhuroi si kurban për minatorët jo vetëm që ia hapi atij rrugën të futej nëpër dhomat me para, por ajo e bëri atë të famshëm edhe në tërë Kosovën, thotë ai. Ai rrëfen se pasi ngjarja morri bujë në Mitrovicë, për te shkruan edhe gazeta “Zëri” dhe gazeta “Bujku” asokohe. “Lopa bëri bujë shumë të madhe në Kosovë. Jo vetëm unë, njerëzit kanë dhurar dhjetë herë më shumë se unë, por kjo pati jehonë shumë të madhe ngase atë e përmendën edhe Aziz Abrashi (ish drejtori i Kombinatit “Trepça” dhe ish funksionarë i lartë i Jugosllavisë), e edhe Burhan Kavaja (organizatori i grevës dhe ish drejtori i minierës me flotacion në Stan Tërg), të cilët iu drejtuan minatorëve si për t’i inkurajuar dhe i thanë: “Ky edhe lopën e fëmijëve të vet e solli kurban për neve, kjo ngjarje na prek shumë”, pas së cilës tërë Kosova më njohu mua” tregon Musau.

 Artikulli i Halil Matoshit me emrin “Humanizmi i popullit për grevën e xehtarëve në Trepçë” sipas Beranit u bë shkas që ai të përfundonte pas grilave të regjimit serb, gjë që tregoi sa vlente lopa ime, thotë ai. “Edhe gazeta “Bujku”shkroi për aktin e dhurumit fare pranë artikullit ku Bekim Fehmiu kishte dërguar një letër përkrahjeje për minatorët e Trepçës”, shton Berani.

E që lopën ta njihte bota mjaftoi artikulli “Kurbani Xehtar” i mediave të huaja, të shoqëruara me fotgrafinë e pronarit të lopës së dhuruar.

 

Foto: Musa Berani, pronari i lopës. (autor: Urall Boshnjaku) “Milan Kuçani (ish presidenti i Sllovenisë) asokohe ka pas thënë që në Trepçë po ruhet Jugosllavia, a serbët na thonin që këtu është terrorizmi, a ata vet kishin qenë terrorista”, thotë Berani. Dy ditë pasi dërgoi lopën ai shkoi përsëri që t’i vizitonte minatorët në zgafellë, aty ai tregon se i thanë që policia serbe po e kërkonte për ta arrestuar. Ai thotë se pasi hipi lart, një ekip gazetarësh nga Radiotelivizioni i Prishtinës (RTP-ja) e kanë shoqëruar atë deri në Mitrovicë, duke e kamufluar me kamera e gjera të tilla. “Pasi u ktheva në shtëpi atë ditë, më nuk guxoja të qëndroja aty, nga frika se mos do vinin e t’më arrestonin. Nga ajo ditë e për afro 6 muaj rresht kam qëndruar nëpër shoqëri, miq e familjarë. Edhe një vit pas ngjarjes rrallëherë kam qëndruar në shtëpi”, rrëfen 65 vjeçar

 

 “Po të ishte sot, kurrë jo!”

 Veç përjetimeve të hidhura që kishte pasi dhuroi lopën, Musau thotë se ai kishte edhe përjetime aq të mira saqë as nuk mund t’i përshkruaj.

            “Kujtimi më i mirë është që atë ditë kur dola nga zgafella, s’kam mund as të ecë prej popullatës duke më përqafuar. Mu është dukur vetja sikur të isha ndonjë udhëheqës a ministër.” shton Berani. Gjendja ekonomike në të cilën sot ndodhet familja Berani sipas Musaut e detyron atë që të mos ketë asnjë mirënjohje për shtetin.

            “Ky shtet nuk më ka ndihmuar asgjë, tash e 17 vite pas lufte. Po të ishte sot, kurrë jo! Kurrë nuk kisha dhuruar as sa “të zinjët e thoit” për këtë shtet, por në ato momente sikur të kisha mundësi do e dhuroja edhe tërë pasurinë.” Foto: Shtëpia ku tash jeton familja Berani. (autor: Urall Boshnjaku)

 

Sot, Musa Beranit nuk i ka mbetur asnjë nga pesë lopët që ai posedonte dikur, e rrjedhimisht as hangari në të cilën ndodheshin ato.

Autor është student i Gazetarisë