Artikujt e sponsorizuar, të porositur dhe nevoja për edukim medial

0
167

Shkruan: Alban Zeneli
Në këtë kohë të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit janë shtuar në masë të madhe tekstet të cilat botohen në rubrikat e lajmeve e të cilat kanë një mbishkrim “artikull i sponsorizuar”.

Këto tekste që botohen edhe nga mediet më serioze në vend nuk përmbajnë asnjë nga rregullat profesionale të shkrimit të lajmit, apo të ndonjë zhanri tjetër jo-propagandistik në gazetari.

Së pari artikujt e sponsorizuar nuk shkruhen nga gazetarët e medies, informacionet e publikuara në këta artikuj nuk verifikohen nga gazetarët, nuk kanë së paku dy burime të informacionit si rregull bazik për të publikuar një lajm.

Pastaj, relevanca e tyre është shumë e diskutueshme njëjtë sikur dobia shoqërore, vlera këto të mirënjohura në gazetarinë tradicionale.

Pra, këta artikuj, edhe pse gjenden në rubrikat e lajmeve janë thjeshtë vetëm reklama. E reklamat duhet të jenë të ndara nga rubrikat e zakonshme të informimit në një medie.

Akoma më keq se këta artikujt e sponsorizuar janë artikujt e porositur të cilët nuk tregohen që janë të sponsorizuar, por në fakt përmbajnë vetëm reklamë për një subjekt të caktuar politik apo fushatë denigruese ndaj një subjekti tjetër.

Nga krejt kjo ‘çoroditje’ profesionale, ajo që pëson më shumë është audienca e zakonshme, qytetarët e thjeshtë të cilët shfrytëzojnë këto medie për t’u informuar.

Kjo situatë relativisht e re vë në pah domosdoshmërinë e futjes së lëndës ‘Edukim për mediet’ në planprogramet e mësimit fillor dhe të mesëm në shkollat publike në Kosovë.

Futja e kësaj lënde në sistemin publik të arsimit të paktën do t’i jepet një shans publikut të ri në moshë që t’u rezistojë mesazheve që merr nga mediet. Pra, në këtë rast të ketë njohuri për artikujt e porositur dhe artikujt e sponsorizuar.

Kjo duhet të bëhet për të qenë të sigurt që një i ri, e di saktë se çka është një artikull i sponsorizuar dhe çka është një artikull i porositur.