Rrëfimi i gruas që e ka shndërruar shtëpinë në vendstrehim për qen (FOTO)

0
332

Në një oborr, në shtëpi të ndryshme , jetojnë dy Xhina, njëra është 52 vjeçare. Ndërsa, tjetra është një qen i zi. Gruaja nga Prishtina që ka vendosur ta shndërroi oborrin në vendstrehim për qentë endacakë, i’a ka lënë njërit qen emrin e vet. Nuk është i vetmi qen që ka strehuar. Ajo në shtëpinë e saj ka pesë të tjerë, shtatë këlyshë me nënën e tyre dhe poashtu tri mace ku njërën prej tyre e ka sterilizuar dhe dy tjerat janë të rrugës.

Xhina Haxhiu tash e shtatë  vite merret me strehimin e qenve endacakë dhe me kujdesin e kafshëve shtëpiake të punonjësve ndërkombëtarë. Gjithçka  filloi kur një italian i quajtur Josephe  (në atë kohë punonte në EULEX) , gjatë pushimeve kishte kërkuar nga Xhina që të kujdesej për qenin e tij. Përmes këtij italiani  dhe shumë ndërkombëtarë  të tjerë kërkonin që ajo të përkujdesej për qentë e tyre. Tashmë në shtëpinë e saj jeta ka ndryshuar. Pjesë e përditshmërisë është edhe kujdesi për kafshët dhe dashuria ndaj tyre.

 

Xhina me qenin që gëzon emrin e saj.

“Më përpara mu më vrani se qentë “

Shtëpia ku  jeton  Haxhiu në të majtë  kishte një lokal ndërsa në anën tjeter ndodhen fqinjë tjerë, të cilët nuk janë të paktë me ankesa. Tre vite më parë ajo kishte pasur problem me ta,  ku  të cilët e denoncuan në polici me arsyjen se qentë e saj po prishnin qetësinë.”Qentë s’kanë bo kurgjo , zakonisht po thojnë që lehin po çdo qen që e sheh dikon që nuk e njeh , normal që leh”, shprehet ajo. Xhina e kishte ndjerë veten të kërcënuar se do ja vrasin qentë. Mirëpo kishte reaguar menjëherë duke ju dalur përpara policisë me përgjigjen se “më përpara mu më vrani se qentë”. Kështu policia nuk kishte mundur të kryente atë që kishte nisur. Pas kësaj ngjarje ajo tregon se i është kufizuar numri i qenve ku tani nuk mund të mbajë më shumë se pesë qen.

Ajo përmend raste kur qentë e saj kishin identifikuar njerëz të panjohur në po atë lokal afër shtëpisë së saj. Gjatë natës ata kishin lehur aq fortë  sa në këtë mënyrë kishte shpëtuar nga vjedhja, tregon Xhina.

Shtëpizat e qenve të strehuar nga Xhina

Të dhurosh dashuri

“I marr , I trajtoj dhe ua bëjë vendin”, thotë ajo. “Nuk lodhem asnjëherë. Çdo punë që bëhet me dashni rezulton me sukses. Të njëjtën dashni ma kthejnë edhe ata mua, vetëm që nuk kanë gojë të flasin”. Oborri ku i mban qentë e saj mbrapa shtëpisë është I rrethuar me material druri , të prerë hollë dhe të gjatë. Në mes të oborrit gjinden  pesë shtëpizat e qenve, të cilët poashtu janë me këtë lloj materiali e brenda të mbushura me sanë që mos ta kenë të ftohtë në temperatura  të ulëta. Kur Xhina doli në oborr qentë e saj iu rreshtuan para këmbëve sikur të ishin bijtë e saj. Ajo pa rreshtur i përqafonte, i puthte në sy dhe i thërriste “hajdeni te nana”.

Tek pragu i derës qeni i saj, Qiki (i racës llabrador), qëndronte i shtrirë, ndërsa në të djathtën e saj ndodheshin këlyshët e posalindur.

Përveç qenëve, Xhina për macen e sterilizuar që endej mbrenda koridorit të shtëpisë, tregonte se në fillim kishte problem ta diciplinonte. Sepse macja nuk kuptonte kur i flisnin shqip. Kjo mace bardhoshe ishte dhuratë prej një mike nga Amerika e cila po ashtu e ndihmonte financiarisht për kujdesjen e kafshëve.

 

Qiki para derës së shtëpisë

“ Të kujdesemi për ta”

Xhina Haxhiu nuk ishte e vetme në tërë këtë inciativë. Ajo ka ndihmën e vajzës së saj, e cila është veterinare, po ashtu të Anita Kocit, që gjithashtu merret me strehimin e qenëve endacakë dhe e ndihmon në aspektin financiar, i fundit jo me më pak rëndësi Visar Dumolli, veterinar që gjithmonë është I gatshëm ta ndihmojë.

Ajo poashtu është pjesë e një organizate të quajtur TBPK(Të bashkuar për kafshët), në të cilën kujdesen që kafshëve të ju ofrohet një vendstrehim.

Kjo grua me dëshirën dhe vullnetin që posedon për këtë punë arrin njëkohësisht të vetpunësohet dhe të mbajë familjen e saj. Ndonëse ishte rreth të 50-tave  dhe rrudhat kishin filluar ta mbulonin fytyren e saj, ku dhe shëndeti ishte shqetësues për të, ajo I tejkalonte këto duke u marrë me kafshët e saj.

Kur iu bë pyetja se çfarë mendimi kishte për vrasjen e tyre, Xhina me një fytyrë të vrenjtur, me vetulla të rrudhura tha se vrasja e tyre duhej ndaluar rreptësisht. “ Në vend se t’i vrasim duhet të kujdesemi për ta, të ju ofrojm dashuri dhe kështu ata do jenë më paqësor edhe ndaj njerëzve”. Përveç kësaj ajo sugjeron që fëmijët duhet mësuar që në vegjëli t’i duan  kafshët, në këtë mënyrë ata të jenë më të dashur edhe me njeriun.

Xhina me njërin nga këlyshët e Qiki-t.
Autore të tekstit janë: Kaltrina Bejiqi dhe Shqipe Pajaziti, studente të vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP.